MENU
klinika

Rezultatet nga INSTAT

Inflacioni ngadalësohet, por çmimet mbeten të larta

10.02.2023 - 13:37

Rritja e çmimeve është ngadalësuar në janar për të tretin muaj radhazi, megjithatë çmimet e ushqimeve vijojnë të mbeten të larta.

Sipas INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimit të mallrave të konsumit zbriti në 7.2% në janar, nga 7.4% që ishte në dhjetor dhe 8.3% që arriti në tetor, kur u shënua dhe niveli më i lartë që nga viti 1998. Pozitivisht ka ndikuar dhe ulja e inflacionit në Eurozonë, duke bërë që të kemi më pak inflacion të importuar.

Sipas njoftimit të INSTAT, Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Janar 2023 është 7,2%, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,7%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Janar 2023, krahasuar me Dhjetor 2022 është 1,1%.

Presionet inflacioniste po vijnë në ulje për shkak të bazës më të lartë krahasimore të vitit të mëparshëm, kur filloi dhe shtrenjtimi i çmimeve, megjithatë shumë produkte mbeten të shtrenjta, sidomos ato ushqimore.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,67 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,56 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,52 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me +0,39 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,20 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” +0,04 pikë përqindje secili.

Rritja e çmimeve të ushqimeve vijon, shtrenjtohen dhe kafetë e restorantet
Krahasuar me muajin Janar 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,6%, “Transporti” me 6,5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1%, “Veshje dhe këpucë” me 4,1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,8%, “Komunikimi” me 1,3% dhe “Shëndeti” me 1,0%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me me 26,4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 21,4%, “peshk” me 17,3%, “bukë dhe drithra” me 15,3%, “mish” me 14,4%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 14,3%, “zarzavate përfshirë patatet” me 7,0%, etj./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN