MENU
klinika

Rriten importet nga jashtë

Shqipëria prodhon më pak qumësht për frymë

11.02.2023 - 13:04

Ndonëse vendi më bujqësor në Europë, Shqipëria ka prodhimin më të ulët të qumështit për frymë. Të dhënat nga Eurostat tregojnë se vitin e shkuar u prodhuan vetëm 42 kilogramë qumësht i papërpunuar për çdo banor, nga 150 në Greqi, 236 në Itali apo 404 në Gjermani. Kjo shifër është gati 50 herë më e ulët nga Irlanda.

Kjo ka bërë që nga viti në vit, importi i bulmetit, kryesisht nga Serbia, të rritet duke kulmuar me mbi 28 mijë tonë vitin e shkuar, nga rreth 20 mijë tonë në 2020.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, shpjegon: “Kjo vjen si pasojë e nevojës së industrisë së përpunimit për të mbajtur kapacitetet e saj të prodhimit dhe tregut”.

Dhe kjo vjen si pasojë e mungesë së lëndës së parë në tregun vendas: “Asnjë përpunues nuk do ta merrte qumështin nga jashtë nëse do kishte prodhim vendas që do të plotësonte nevojat”.

Teksa fajëson qeverinë për mungesë mbështetjeje, fermeri Dashamir Çela kërkon subvencione për sektorin për të dalë nga kriza: “Prodhoj 130 tonë qumësht në vit. Me skemën e 10 lekë për litër ishim mirë sepse ne tentonim të rriteshim për të prodhuar më shumë”.

Në të kundërt, sipas Çelës, si prodhuesit dhe përpunuesit mund të përballen shpejt me një zinxhir falimentesh.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i gjedhëve në vend po reduktohet me shpejtësi nga viti në vit. Rreth 138 mijë lopë, dele e dhi më pak se në 2017 numërohen aktualisht.

Ecuri të ngjashme ka pasur edhe sasia e qumështit të grumbulluar në vend e cila, sipas INSTAT, është tkurrur me gati 25 mijë tonë në vetëm tre vite.