MENU
klinika

Pronarët në gjyq prej 20 vjetësh

Dinamika/ Si u hodh në erë me tritol hoteli në Sarandë

14.02.2023 - 11:04

Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Sarandë, ku për pasojë është shkatërruar një hotel.

Shpërthimi ka ndodhur në një nga hotelet më të vjetra në lagjen nr.1 të qytetit, në pronësi të Spiro Çabirit. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:54 në bulevardin e qytetit bregdetar, ku si pasojë e shpërthimit të fuqishëm janë shkaktuar dëme të shumta materiale edhe në shumë biznese dhe banesa përreth. Lënda eksplozive mendohet të ketë qenë disa kilogramë, ndërkohë ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët pasi është dëgjuar në të gjithë qytetin. Fillimisht, të dhënat kanë dalë nga policia për sa i përket aktit të rëndë, ndërkohë në orët në vazhdim të së djeshmes, kanë folur jo vetëm banorët, por edhe personat që kanë pësuar dëme të shumta nga shpërthimi i madh që ka rrënuar diku të 30 biznese dhe ndërtesa.

Bashkia e Sarandës ka bërë me dije dje se ka nisur verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga ai shpërthim, ndërkohë që policia dhe prokuroria deri orëve të vona të së djeshmes nuk kishin asnjë version për ngjarjen, as se si ka ndodhur dhe as nga kush është kryer. Ajo që u tha përgjatë orëve të vona të së hënës është fakti që janë shoqëruar disa persona, mes tyre edhe djali i njërit prej pronarëve, si dhe është hedhur dritë mbi një konflikt prej më shumë se 20 vitesh mes dy pronarëve, konflikt gjyqësor që me sa duket nuk është zgjidhur ende, ashtu siç nuk zgjidhen pjesa më e madhe e këtyre konflikteve. Po ashtu, Policia ende nuk ka të qartë se sa kg eksploziv u përdor për të hedhur në erë hotelin që tronditi qytetin bregdetar, ku fillimisht u tha se bëhet fjalë për një sasi prej 5 kilogramësh, por më vonë, ekspertët iu shpjeguan policisë së kanë qenë të paktën 30 kg për të realizuar atë lloj rrafshimi.

VERIFIKIMET PAS NGJARJES
Sipas të dhënave të mëvonshme u bë me dije se hoteli ‘Bizantin’ që u hodh në erë në orët e para të mëngjesit, mësohet se është në pronësi të dy personave, të cilët që nga 2022 kanë probleme dhe janë në proces gjyqësor. Ekspertët treguan se sasia e tritolit është vendosur në kolonat e brendshme të hotelit dykatësh dhe nga aty mësohet se ndezja është kryer me lidhje në seri. Sipas Policisë, personi që ka vendosur sasinë e tritolit ka pasur njohuri për shpërthime të kësaj natyre dhe për këtë fakt i tha se ekzistojnë indicie dhe dyshime se hoteli është hedhur qëllimisht në erë nga njëri nga pronarët, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe aktualisht ndodhen në proces gjyqësor në Gjykatën e Sarandës. Hoteli është në pronësi të Spiro Çabirit, por ky i fundit ka konflikt me një shtetas grek, Dhimitër Evangjeliu, që sipas të dhënave hetimore ka edhe përqindjen më të madhe në atë pronë. Hoteli dykatësh funksiononte vetëm gjatë muajve të verës, ndërsa në dimër qëndronte i mbyllur, çka ka bërë të mundur për fat, të mos kishte njerëz brenda.

Mirëpo, janë burime konfidenciale që bëjnë me dije se për sipërfaqen tokësore ku ndodhej hoteli kishin shfaqur interes firma të ndryshme, me qëllim ndërtimin e një pallati në këtë territor. Sasia e tritolit paraprakisht dyshohej se ishte jo e madhe, por më pas u vërtetua se bëhej fjalë për një sasi të madhe duke parë edhe mënyrën se si kanë operuar tritolvënësit. Ekspertë xhenio u thirrën nga Tirana për të bërë një vlerësim më të saktë të sasisë së tritolit që është vendosur në kolonat e hotelit dhe nxjerrë mekanizmin e vendosjes së tritolit. Sipas Policisë, personi që ka vendosur tritolin besohet të ketë punuar për më shumë se 2 orë, duke bërë lidhjen e fijeve.

KONFLIKTI
Një histori përplasjesh për pronësinë më shumë se 21- vjeçare mund të ketë çuar në shpërthimin që tronditi dhe terrorizoi qytetin bregdetar të Sarandës mëngjesin e sotëm, teksa të gjithë ishin në gjumë. Hotel ‘Bizanti’, i ndërtuar në vitin 1996 kishte 3 ortakë, një shtetas grek me emrin Dhimitër Evangjeliu dhe 2 shqiptarë Spiro Çabirin dhe Vangjel Shtuka (i ndarë nga jeta). Një vendim i Gjykatës së Lartë shpjegon përplasjen prej 2 dekadash mes tyre. 2 shqiptarët e vendosën sipërfaqen truall 700 metra katrorë në vitin 2005 si kolateral në një kredi që morën (9.8 milionë lekë të reja), ndërkohë që përplasje për pronësinë kishte nisur në Gjykatë.

Një vendim Gjykate e Shkallës së Parë në vitin 2002, e konfirmuar me vendim të prerë të Apelit të Gjirokastrës kishte detyruar Vangjel Shutkën dhe Spiro Çabirin për njohjen bashkëpronar të Dhimitër Evangjeliu, në raportin 90% për qytetarin grek dhe 10% për të dy shqiptarët.

Në zbatim të këtij vendimi, objekti “Hotel Bar Restorant” është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme të ZVRPP Sarandë në bashkëpronësi, në raportet 90 % paditësi dhe 10 % të paditurit. Meqenëse palët nuk kanë arritur dakordësinë për pjesëtimin e hotelit (domethënë vlerën në shumë monetare që i takonte secilit) pronari grek Dhimitër Evangjeliu i është drejtuar gjykatës. Gjykata konfirmoi që Evangjeliu kishte 90% të pasurisë dhe dy të tjerët, Spiro Çabiri e Vangjel Shtuka, nga 5%. Ky vendim më pas u konfirmua nga Gjykata e Apelit Gjirokastër përmes një vendimi të vitit 2011.

AKTI I EKSPERTIMIT
Më pas është bërë një aktekspertimi, nga eksperti Haxhi Musai, dhe prona është vlerësuar 920.000 Euro. Vlerësimi theksoi se kjo pasuri nuk mund të pjesëtohet në natyrë për vetë mundësinë e zhvillimit të këtij kompleksi hotelier, pasi vetë projekti i ndërtimit nuk e mundëson shfrytëzimin pjesor të hotelit dhe nuk ka mundësi teorike dhe praktike funksionimi në destinacionin e projektuar. Ndaj duhej ndarë me vlerë monetare. Me këtë vlerësim ka qenë dakord pronari më i madh, ndërkohë që Spiro Çabiri e ka kundërshtuar në disa hapa, por gjykata përfundimisht nuk ia ka pranuar.

Në vitin 2015 përmes një vendimi të Gjykatës së Sarandës është vendosur që prona ‘Hotel Bar Restorant’ t’i lihet në pronësi paditësit Dhimitër Evangjeliu, ndërsa ky i fundit detyrohej t’i paguante Spiro Çabirit dhe Vangjel Shtukës nga 46 000 Euro secilit, pra 5% të vlerës totale të objektit. “Eksperti, duke marrë në konsideratë vendndodhjen e HotelBar Restorant, vlerën e tregut të zonës si dhe kushtet aktuale të sendit (shih fotot bashkëngjitur Aktit të Ekspertimit), ka arritur në përfundimin se vlera e pasurisë është 920.000 Euro. Pjesa e bashkëpronësisë e paditësit Dhimitër Evangjeliu është vlerësuar në shumën 828.000 Euro, pjesa e bashkëpronësisë së të paditurit Spiro Çabiri prej 5% është vlerësuar në shumën 46.000 Euro dhe pjesa e bashkëpronësisë së të paditurit Vangjel Shtuka është vlerësuar në shumën 46.000”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Spiro Çabiri, përmes një ankimi tjetër, ka kërkuar rikryerjen e ekspertimit për të përcaktuar se sa është pjesa e secilit bashkëpronar në bazë të investimit të kryer dhe cila është shuma që duhet t’i japin njëri tjetrit si detyrim për pjesën në bashkëpronësi. Kjo pasi në objekt ishin bërë investimi nga ana e tij. Riçelja e hetimit gjyqësor s’është lejuar nga Gjykata, pasi çështjet për të cilat u kërkua riçelja e hetimit janë marrë në shqyrtim në gjykimet e mëparshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë