MENU
klinika

Pazaret e burgut, mbyllen dyqanet

Të dënuarit vetëm blerje online nga qelia

14.02.2023 - 11:23

Prej janarit të këtij viti në të gjitha institucionet e burgjeve në vend nuk ekzistojnë më dyqanet që ndodheshin brenda tyre. Por të dënuarit dhe të paraburgosurit nuk do të privohen nga blerjet e produkteve ushqimore apo industrial.

Projekti që iu mundëson blerje online personave të privuar nga liria ka nisur në mesin e vitit 2022 dhe është zbatuar plotësisht në janar të vitit 2023.

Në funksion të kësaj mënyrë të re blerjeje, për çdo person të izoluar është hapur një numër llogari në një bankë të nivelit të dytë. Në secilën prej tyre familjarët përkatës të të burgosurve mund të depozitojnë para, që përdoren më pas për blerje nga të afërmit e tyre në qeli. Qëllimi nuk është vetëm mbrojtja e të dënuarve nga çmimet abuzivisht të larta të ish-dyqaneve në burgje.

“Qëllimi kryesor është të shmanget abuzimi, arbitrariteti me çmimet, që nuk kishte standard, diku ishin shumë të larta. Së dyti, të ofrohet një shërbim më i mirë, më i kulturuar për qytetarët, të lehtësohen qytetarët. Së treti, kjo që ka të bëjë me rritjen e sigurisë”, thotë nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Femi Sufaj.

Sipas marrëveshjes së Burgjeve me operatorin privat që do ofrojë këtë shërbim, çmimi i produkteve nuk mund të jetë më i lartë se tregu.

Për blerjet online të burgosurit do të përdorin një pajisje tablet, që do të menaxhohet nga disa të tjerë të dënuar, të trajnuar dhe të punësuar për procesin. Njëkohësisht, ata janë pajisur me një kod unik dhe një fjalëkalim për t’u identifikuar në pajisje.

“Eliminohet paraja në dorë, eliminohet informaliteti. Deklarohet në sistem gjithë xhiroja. Është shumë me e kontrolluar dhe shume më objektive”, thotë Sufaj për A2 CNN.

Në projekt është parashikuar edhe momenti i lirimin nga burgu, ku të dënuarit pajisen me një çek për të zbrazur balancën e pashpenzuar në llogarinë e tyre për blerjet nga qelia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kushtet, trajtimin shëndetësor e cilësinë e ushqimit

Raporti i Avokatit të Popullit: Situata në burgje, me probleme!