Teatri i Operës dhe Baletit ka mbajtur homazhe për të gjithë njerëzit që humbën jetën në tërmetin tragjik të 6 shkurtit, në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë. Këto homazhe kanë ardhur përmes performancave të Ansamblit Popullor, Kuartetit të Harqeve, trupave të baletit dhe solistëve të TKOB-së.
Ka qenë drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, e cila përcolli mesazhe ngushëlluese për popullin turk, duke theksuar se “do vijojmë të jemi krah popullit turk, për t’u rikuperuar dhe ringritur pas kësaj fatkeqësie”.
“Si në ato momente kur populli dhe qeveria turke na u gjend pranë, ashtu edhe ne, në bazë të muzikës, e cila shpreh ndjenjat më të pastra dhe më të bukura humane, jemi krah popullit turk sot”, tha Voshtina, duke e paralelizuar me situatën kur Turqia iu gjend pranë Shqipërisë në tërmetin e 26 nëntorit të 2019-ës.
Orkestra e Ansamblit Popullor, performoi kabanë e shquar për Klarinetë “Gjeneral Gramafoni”, në nder të viktimave që vdiqën nga tërmeti i rënë në Turqi dhe Siri dhe Kuarteti i Harqeve të TKOB-së debutoi “Intermezzo” të “Pietro Mascagni”.
Ndërsa dy solistët bas bariton, Artur Vera, dhe pianistja Herta Cane, ekzekutuan arien “Ah, per sempre” të Vincenzo Bellini, balerinët profesionistë u përfaqësuan me një duet nga Adela Muçollari dhe Enea Qirici, me operën “La fida ninfa” të A. Vivaldi.