MENU
klinika

Dyshohet se u hapën 5 gropa në 5 kolonat kryesore

Detaje si u hodh në erë hoteli në Sarandë!

15.02.2023 - 11:08

Shpërthimi apokaliptik që tronditi Sarandën mëngjesin e së hënës ka çuar në pranga një djalë. Deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, i akuzuar për hedhjen në erë të hotelit dykatësh në lagjen nr. 1 në Sarandë është djali i njërit prej bashkortakëve që ishin në betejë gjyqësore për pronësinë e hotelit.

Sotir Çabiri është arrestuar, pasi policia dhe prokuroria kanë fiksuar në disa pamje se ka qenë brenda atyre objekteve pak minuta para shpërthimit. Ai në fakt ishte personi i parë që u shoqërua për tu marrë në pyetje pak orë pas shpërthimit të tmerrshëm, që desh rrafshoi gjithë lagjen.

Po përveç faktit që u shoqërua për t’u marrë në pyetje u bë me dije se atij iu bllokua edhe makina, pasi pretendonte se do të nisej për në Angli.

Por ajo që ka dalë ditën e djeshme nga verifikimet e ekspertëve xhenio e bën edhe më të frikshme sipërmarrjen e kujtdo që ka vepruar në atë objekt për ta hedhur në erë.

Ndonëse ende nuk është dhënë verdikti përfundimtar për anën teknike të aktit kriminal, bëhet me dije se në objekt janë hapur pesë gropa në pesë kolonat kryesore të objektit. Ekspertët dyshojnë se bëhet fjalë për një sasi prej të paktën 10 kg për gropë, çka hedh dyshimet se për rrafshimin e tij janë përdorur plot 50 kilogramë tritol.

Policia dhe Prokuroria pretendojnë se personi i vetëm që është parë të dalë nga aty vetëm 4 minuta para shpërthimit është pikërisht djali i njërit prej pronarëve, por askush deri më tani nuk di të thotë se si një person i vetëm të ketë kryer një shpërthim të atyre përmasave.

DËSHMIA E TË ARRESTUARIT
Referuar të dhënave që vijnë nga Policia, bëhet me dije se Sotir Çabiri, djali i njërit nga pronarët, Spiro Çabiri, i ka thënë Policisë së nuk ka lidhje me shpërthimin. Ai ka treguar se ndodhej në atë objekt për të marrë valixhen me rroba pasi ditën e hënë kishte për tu nisur për Angli dhe kishte edhe biletat e prera. Edhe i ati, i cili është marrë në pyetje ka kundërshtuar faktin që atë akt ta ketë kryer i biri, pasi edhe pse e kishin humbur objektin, trualli ishte pronë e tija dhe nuk kishte pse ta bënte një veprim të tillë. Por, Policia dhe prokuroria kanë vendosur ta mbajnë në pranga të riun, deri sa të dalë para Gjykatës së Sarandës, ku i takon kësaj të fundit të vendosë për fatin e masës së sigurimit personal për Sotirin.

Të dhënat e dy ditëve më parë nxorën në pah një betejë të madhe gjyqësore mes sarandjotit dhe bashkortakut grek për hotelin që tashmë është rrafshuar i tëri. Sipas të dhënave Gjykatat e vendit tonë i kanë dhënë të drejtë shtetasit grekë i cili ka hyrë në atë bashkëpronësi shumë herët, ndërsa që nga viti 2000 ata kanë vijuar gjyqet. Sotiri, i ka bërë me dije policisë edhe ditën e djeshme teksa ka dhënë dëshminë e tij se jo vetëm trualli, por edhe toka në bregun e detit që është para hotelit të hedhur në erë i përket atij. Ditën e hënë u mësua se në fakt prej kohësh ajo zonë është kërkuar nga disa firma ndërtimi, por ende nuk dihet se çfarë qëndrimi ndaj kërkesave të tyre ka mbajtur Çabiri.

Kështu Policia pretendon se e ka zbardhur ngjarjen e rëndë të mëngjesit të së hënë. Dje u njoftua se ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në momentin e arrestimit. Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale. Grupi hetimor dyshon se shkak i vënies së tritolit është bërë konflikti për pronësinë që ka babai i tij, Spiro Çabiri me shtetasin grek Dhimitër Evangjeliun prej 21 vitesh dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi këtij të fundit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë