MENU
klinika

GJKKO rrëzon kërkesat e dy të arrestuarve

Çfarë deklaruan Koka dhe Bllako?

16.02.2023 - 10:05

Gjykata vendos sërish kundër Lefter Kokës dhe ish-vartësit të tij, Alqi Bllako. Brenda dy ditësh, ndaj të dyve gjykata nuk ka lëshuar “pe” në kërkesat e tyre, ndërkohë që kërkesa e djeshme kishte të bënte me bashkimin e dy dosjeve të dy inceneratorëve për të cilët gjenden pas hekurave ministri dhe deputeti.

Të dy ishin të pranishëm ditën e djeshme në sallën e gjyqit, ndërkohë që kanë parashtuar kërkesën bashkë me mbrojtësit e tyre, por gjykata e ka refuzuar bashkimin e çështjeve, duke i lënë të ndara për hetim dhe gjykim. Kështu dosjet e inceneratorëve të Elbasanit dhe të Fierit do të vazhdojnë rrugën e gjykimit të ndarë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në seancën paraprake që u zhvillua për inceneratorin e Fierit, GJKKO-ja ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, ndërkohë që më herët e njëjta kërkesë u rrëzua sërish nga një tjetër gjyqtar, që po gjykonte çështjen e Elbasanit. Të dyja çështjet u gjykuan në seanca paraprake. Për inceneratorin e Fierit u paraqitën edhe Lefter Koka dhe Alqi Bllako, që përmes avokatëve të tyre paraqitën pretendimet për akuzat e ngritura nga SPAK-u. Lefter Koka ishte i ashpër në seancë teksa ka shënjestruar Monika Kryemadhin pasi sipas tij, po mbahej në burg nga një kallëzim i saj. Më pas Koka ka ndjerë shqetësime kardiake dhe është larguar salla e gjyqit. Ish-kreu i dikasterit të Mjedisit prej kohësh ka kërkuar lirinë për shkak të problemeve me zemrën. Koka u largua me ambulanca nga GJKKO, ndërsa Alqi Bllako, ka kërkuar që të rrëzohen akuzat për shpërdorim detyre pasi sipas tij sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit nuk mund të cilësohet zyrtar i lartë.

DOSJET
Vendimi nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim do të merret pas një jave. Për inceneratorin e Fierit, Gjykata ka marrë 20 të pandehur dhe behet fjalë për 4 milionë euro të cilat u paguan për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit me skemën e mashtrimit, sipas SPAK. Lefter Koka është nën dy masa sigurie “Arrest në burg” për dy inceneratorë, atë të Elbasanit dhe të Fierit.

Aktualisht, në pritje të përfundimit të hetimeve, është në paraburgimin e Durrësit, në të njëjtën dhomë më Alqi Bllakon, ish-deputetin e PS-së, i cili akuzohet po ashtu për të dy inceneratorët. SPAK-u e akuzon Lefter Kokën për “Shpërdorim të detyrës”, “Pastrim të parave” dhe “Korrupsion”, tri akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do të nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services”, si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit, si dhe Klodian Zoto. Hetimet për inceneratorin e Elbasanit janë të parat që përfundojnë nga SPAK-u, teksa në proces përfundimtar është edhe ai i Fierit. Për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN