Gjykata e Sarandës ka caktuar dje masën e sigurisë “Arrest në burg” për 36-vjeçarin Sotir Çabiri të dyshuar si autor të shpërthimit me eksploziv të hotel “Bizanti” në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Para trupit gjykues, Çabiri ka vazhduar të mbajë qëndrim mohues duke u shprehur se ndodhej në hotel për të marrë diçka që kishte harruar, pasi po atë ditë do te shkonte ne Angli, ndaj dhe ishte filmuar duke dalë nga objekti 3 minuta para shpërthimit.
Megjithatë Gjykata, edhe pse ende nuk ka prova të plota dhe bindëse për autorësinë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Çabiri pritet të transferohet drejt Burgut të Bënçës. Ndërkohë sot në Sarandë kanë mbërritur inspektorë të IKMT-së së bashku me një mjet çekiç, për të ndihmuar në pastrimin e vendit të ngjarjes ku prej 4 ditësh ndodhen ekspertë anti-eksploziv dhe ata të Policisë së Sarandës.
HETIMET
Burime hetimore bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një kallëp tritoli i pashpërthyer, ndërkohë qe ekspertët vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se autori ka përdorur 50 kg për shpërthim.
Madje burime bëjnë me dije se sasia më e madhe ishte vendosur në themelet e një depoje ne katin përdhe të hotelit ndërsa pjesa tjetër nëpër kolona. Hetimet po vazhdojnë intensivisht nga Policia dhe Prokuroria pasi ende nuk është vërtetuar plotësisht nëse autor real është Çabiri dhe nëse në ngjarje kanë vepruar me shumë se një person.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të dhjetëra objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar. Nga Saranda erdhën pamjet e momentit të shpërthimit të hotelit që mbuloi të gjithë zonën me tym të zi dhe tronditi banorët kur ndodheshin në gjumë.
Ata u zgjuan të terrorizuar nga shpërthimi i fuqishëm dhe zhurma e fortë duke menduar se u goditën nga një tërmet. Forcat xheniere do të qëndrojnë dhe sot në Sarandë për të arritur deri në bazën e objektit dhe për të saktësuar në këtë mënyrë sasinë apo dhe lëndën që u përdor për të shembur objektin. Burime bëjnë me dije se po pastrohet vendi për të konstatuar bazën ku është vendosur lënda plasëse dhe për të verifikuar nëse ka sasi te paplasur.
Historia e përplasjes 21- vjeçare për pronësinë e hotelit “Bizanti”, i pozicionuar në shëtitore, buzë detit kishte 3 ortakë, një shtetas grek me emrin Dhimitër Evangjeliu dhe 2 shqiptarë Spiro Çabirin dhe Vangjel Shtuka (i ndarë nga jeta). Dosja e vendimeve gjyqësore shpjegon si nisi përplasja për pronësinë e vlerësuar 920 mijë euro, 90% të së cilës e kishte greku dhe 10% i kishin 2 shqiptarët. Çështja është ende Apelin e Gjirokastrës që pas hartës së re gjyqësore transferohet në Tiranë për të zgjidhur përfundimisht konfliktin për pronësinë.