MENU
klinika

Raporti i fundit rajonal

BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë

17.02.2023 - 10:39

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në raportin e fundit rajonal.

Sipas BERZH, ekonomia vendase tashmë pritet të zgjerohet me 2.5%, ose 0.5 pikë përqindje më pak se pritshmëria në muajin shtator. Rritjen më të lartë pritet që ta ketë Mali i Zi, me 3.3%, i ndjekur nga Kosova me 3%. Ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut pritet të zgjerohen me 2%. Për vitin 2022, BERZH vlerëson se ekonomia vendase është rritur me 3.7%. Ecurinë më të mirë ekonomike në 2022 e shënoi Mali i Zi (6.3%), por që vjen pas një rënieje më të fortë në periudhën e pandemisë.

Bosnja është zgjeruar me 4%, Kosova me 3.2%, Maqedonia e Veriut me 2.5% dhe Serbia me 2.3%. Rritja e ekonomisë shqiptare pritet të përshpejtohet lehtë në 2024, në 3.3%, parashikon BERZH. Sipas raportit, prodhimi në rajonin e BERZH pritet të rritet me 2.1 për qind në vitin 2023, pasi çmimet e larta të gazit dhe inflacioni i vazhdueshëm do të ndikojnë negativisht mbi perspektivën ekonomike. Parashikimi aktual përfaqëson një rishikim në rënie krahasuar me skenarin bazë të publikuar në shtator 2022, megjithëse është më i fortë se në skenarin e mëparshëm të rënies, i cili supozonte se nuk do të kishte furnizim me gazin rus.

Rritja pritet të përshpejtohet deri në 3.3 për qind në vitin 2024, gjerësisht në përputhje me vlerësimet e zgjerimit potencial afatmesëm. Shtetet e Europës Juglindore kanë qenë elastike ndaj goditjeve, por kanë përjetuar ritme rritjeje dukshëm më të ulëta në gjysmën e dytë të 2022. Pritet një rritje prej 1.5 për qind në 2023, duke u përshpejtuar deri në 3.1 për qind në 2024. Ndërsa rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u moderua në vitin 2022, konsumi i familjeve rezultoi i qëndrueshëm. Rritja në vitin 2023 pritet të ngadalësohet në 2.2 për qind duke reflektuar kërkesën e dobët të jashtme, inflacionin e vazhdueshëm të lartë dhe kushtet më të shtrënguara të financimin. Rritja pritet të rritet deri në 3.4 për qind në vitin 2024.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Më e ulët se norma mesatare për Ballkanin

Ekonomia shqiptare do rritet 4.5% këtë vit