MENU
klinika

Margariti: Detyrim t’ua përcjellim brezave

Shpallet konkursi ndërkombëtar për Muzeun “Besa”

17.02.2023 - 13:01

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpalli sot thirrjen për konkursin ndërkombëtar për projektin e muzeut “Besa”.

“Në rrugëtimin për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane, në asnjë moment nuk kemi harruar se në këtë rrugëtim ne po ecim përpara si shqiptarë. Ne do të hyjmë në Europë duke dhënë besën dhe këto vlera që kemi trashëguar duhet t’ua përcjellim fëmijëve tanë”, u shpreh ministrja në nisje të prezantimit.

Ajo u drejtoi një thirrje të gjithë atyre arkitektëve që duan të vendosin profesionalizmin e tyre në konceptin e besës, duke lënë një landmark të ri në qytetin e Tiranës. Konkursi i projektimit i cili hapet sot, do të kalojë në dy faza. Faza e parë do të jetë ajo e shprehjes së interesit, për të cilën tashmë janë dërguar 500 ftesa në studiot më me emër në të gjithë botën, ndërsa faza e dytë do të jetë dorëzimi i pesë projektkoncepteve më të mira.

Ministrja solli në kujtesë veprat e Kadaresë, përkthyesit e të cilit e kanë pasur të vështirë e pothuajse të pamundur për ta përkthyer “besën” dhe peshën e madhe që ka në vlerën e ngritjes të familjes dhe në kumtin që mbart kjo fjalë.

“Është një nga bukuritë më të rralla që kjo fjalë të mos ketë përkthim por të thuhet kudo në shqip “Besa”. Është një detyrim moral që e kemi dhe ne si institucion që këtë vlerë unikale shqiptare t’ua përcjellim brezave, jo thjesht në tregime e letërsi, por nëpërmjet një godine që do të shënojë një moment më tepër se simbolik për të gjithë qytetarët e këtij kombi”, u shpreh ministrja në ceremoninë e shpalljes së konkursit.

Për të ngritur një hapësirë tërësisht shqiptare është përzgjedhur një godinë simbolike në qendrën e qytetit, një monument kulture. Kjo sipas Margaritit, vlen si “një shuplakë tjetër për çdokënd që thotë se kjo qeveri apo kjo bashki është duke rrënuar historinë e vendit”.

Godina ku do të ndërtohet muzeu “Besa” gjendet pranë mureve të kalasë së Tiranës dhe ishte krejtësisht e abandonuar, por do të kthehet në një hapësirë ku të rinjtë të mësojnë mbi besën dhe dimensionin tonë europian. Ndërkohë ministrja Margariti njoftoi se së shpejti edhe “Sarajet e Toptanasve” do t’i rikthejnë një muze etnografik qytetit.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe