Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në Abc News, komentoi edhe zhvillimet e fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe të ashtuquajturin plani franko-gjerman. Sipas tij, ky plan që është propozuar nga perëndimorët nuk reflekton një njohje të menjëhershme të Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia.
“Plani franko-gjerman reflekton saktësisht atë që është konteksti aktual ndërkombëtar rreth e përqark Kosovës. Konflikti ruso-ukrainas, në këtë konflikt të tillë, Perëndimi ka interesin te Serbia në mënyrë që t’i shkëputet ndikimit rus. Për këtë interes perëndimor, plani reflekton një lloj përpjekje për të mos prekur sedrën serbe dhe për këtë arsye jepet një periudhë 10 vjeçare në të cilën Serbia do të mund të pranojë Kosovën si shtet sovran.
Nëse më përpara në planet e mëparshme është shtyrë për njohje reciproke, plani franko gjerman thotë se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet sovran. Ky ndryshim i madh është bërë një nga burimet e fërkimit brenda klasës politike kosovare dhe bën që ai front i përbashkët që duhet të ekzistonte rreth Kurtit të mos jetë efektiv. Konflikti ruso ukrainas e ka zvogëluar presionin mbi Serbinë. E shoh edhe në qëndrimin amerikan. Ka një modifikim të qëndrimit.”, tha ai.
Sipas tij, Serbia ndoshta mund ta njohë Kosovën si shtet të pavarur pas një dekade.
“Dialogu po shkon nga pista drejt njohjes graduale të Kosovës. Pas 10 vitesh mund të kemi njohje të Kosovës nga Serbia. Siç thashë sjellja e amerikanëve ka ndryshuar. Në kohën kur mendohej se Biden do të ishte më afër Kosovës, administrata e tij bën një lloj kthimi pas nga Trump për mbylljen e këtij dialogu.
I drejtohej Vuçiç për njohje reciproke ndërsa sot Biden flet për njohje eventuale në fund të procesit. Pra, moskuptimi apo kontradita në leximin e sjelljes perëndimore ndaj Kosovës si shteti etnik apo shqiptar, është në këtë moskuptim, ku qëndrojnë të gjithë problemet që Kosova sot ka“, tha ai.