Autoriteti Rrugor Shqiptar, (ARRSH) ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, IKMT dhe Bashkia Tiranë kanë përmbyllur fazën finale të konstatimit në terren të objekteve që preken nga projekti i rehabilitimit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja dhe statusin e tyre ligjor nga ana e dokumenteve.
Në përfundim të këtij vlerësimi, rezulton se numri total i objekteve që preken nga projekti në të tre lotet është 195.
Prej tyre, 71 rezultojnë të jenë të pajisura me dokumentet e pronësisë ndërsa 124 objekte janë pa dokumente pronësie.
Nga ana e ARRSH, deri më tani janë kryer matjet dhe verifikimet në terren për 59 objekte në funksion të procedurës së shpronësimit.
Objekte të pamatura ende por që disponojnë dokumente pronësie janë 12 dhe për to do të vazhdojë gjatë ditëve të ardhshme procesi i matjeve.
Ndërkaq, Autoriteti Rrugor ka dialoguar me ata qytetarë objektet e të cilëve preken pjesërisht nga projekti dhe jo plotësisht.
Në 72 raste, ARRSH ka kryer piketimet në terren për këto objekte për të cilat është shprehur vullneti i qytetarit për të prerë pjesërisht pjesën që preket nga projekti, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë të qëndrojë me kusht që të garantohet konfirmimi nga inxhinierët konstruktorë që konfirmojnë qëndrueshmërinë konstruktive të objektit.
Dokumentacioni i përgatitur dhe gjithë procesi teknik do monitorohen nga Njësitë Bashkiake përkatëse dhe IKMT-ja.
Nga kjo kategori objektesh 27 janë me dokumente pronësie ndërsa 45 janë pa dokumente pronësie.
Në përfundim të këtij verifikimi, numri i objekteve të skualifikuara nga ALUIZNI është 74. ARRSH informon median dhe opinionin publik se puna në terren nga institucionet përgjegjëse ARRSH, IKMT, Bashkia Tiranë, ALUIZNI dhe Hipoteka po vazhdon normalisht në të gjithë gjatësinë e unazës nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja.
ARRSH ka autorizuar vetëm pezullimin e aktivitetit ndërtimor nga kompanitë për Lot Nr.1 ndërsa institucionet shtetërore do të vazhdojnë normalisht aktivitetin edhe në këtë segment për hapjen e hapësirës për zbatimin e projektit.