Inter bëri prova gjenerale në Serie A, përballë Udineses trajneri Inzaghi mori sinjale pozitive nga pjesa më e madhe e ekipit, arritën të gjenin rrugën e rrjetës Romelu Lukaku, Mkhitaryan dhe Lautaro Martinez.
Pas suksesit 3-1, zikaltërit përforcojnë pozitat e tyre në vendin e dytë, por vëmendja tashmë është e gjitha e përqendruar në Champions, aty ku të mërkurën presin Porto-n në “San Siro”.
Tifozët i janë përgjigjur edhe një herë thirrjes së ekipit teksa janë shitur të gjithë biletat për këtë përballje. Inter kërkon me çdo kusht të kalojë këtë fazë pasi në rast suksesi do të arkëtonin minimalisht edhe 20 milionë euro të tjera. Me këtë shifër, zikaltërit do të kishin një buxhet të konsiderueshëm për të lëvizur në merkaton e verës, por në të njëjtën kohë do të punonin të qetë për të rinovuar kontratën me dy titullarë, Calhanoglu dhe Bastonin.