Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka sjellë fakte për keqmenaxhimin e rezervave hidrike dhe krizë energjetike. E tillë duket se ka qenë edhe situata me kaskadën e Drinit gjatë pjesës së dytë të vitit 2021 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2022.
Situata doli jashtë kontrollit, pas shfrytëzimit pa kriter që qeveria u bëri burimeve ujore në hidrocentralet që përfshijnë këtë kaskadë. Kjo bëri që rezervat ujëmbledhëse në këto basene jo vetëm të shteronin, por edhe të çonin Korporatën Energjetike Shqiptare, drejt blerjes së energjisë me çmimin më të lartë në treg, por edhe drejt një falimentimi të sigurt financiar. Kjo gjë u vu në pah edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Auditi jo vetëm nuk kurseu kritikat për mënyrën se qeveria menaxhoi situatën, por që na tregoi njëkohësisht edhe se si KESH u detyrua të blejë energji me çmim më të lartë, duke rritur kësisoj shumëfish shpenzimet e veta. E gjitha kjo në kulmin e një krize globale, që po trondiste tregjet botërore, duke rrezikuar kështu jo vetëm falimentimin e kompanive energjetike shqiptare, por edhe të sistemit që papritur kaloi në një kolaps të thellë.
“Sipas fakteve të mbledhura është e dukshme se në vitin 2021 dhe në 6-mujorin e parë të vitit 2022 kaskada e Drinit është keqmenaxhuar dhe për rrjedhojë energjia elektrike është blerë me çmime të larta. Kriza globale energjetike u shoqërua me rritjen e shpenzimeve për blerjen e energjisë elektrike nga importi dhe me mungesë të likuiditeteve financiare të shoqërive të sistemit elektroenergjetik shqiptar, gjë që vështirësoi garantimin e qëndrueshmërisë së sistemit dhe furnizimin e pandërprerë me energji elektrike”, shprehet Auditi i KLSH-së. Ky fakt i konstatuar nga KLSH-ja, evidentohet edhe nga ekspertët e energjisë, të cilët vlerësojnë se dëmi në këtë rast, nuk ishte vetëm i kompanisë elektroenergjetike shqiptare, por shkoi direkt në xhepat e konsumatorëve.
“Këtu ka një keqmenaxhim goxha të lartë. Po t’i futemi nga ana tregtare mënyrës se si ka operuar në shitje dhe blerjet e energjisë elektrike në bazë të ligjit për sektorin e energjisë elektrike dhe akteve të tjera ligjore që ka nxjerrë Enti Rregullator i Energjisë, referencat e çdo shitje dhe blerjet e energjisë elektrike, referencat e KESHit janë të paktën 50 euro deri në 100 euro më shumë sesa referenca e bursës hungareze. Kështu që pika e parë ka bërë shkelje ligjore në çdo shitje dhe blerje të energjisë elektrike”, deklaron Eduard Elezi, ekspert i energjisë.
Por, si u keqmenaxhua Kaskada e Drinit, dhe cilët ishin faktorët që ndikuan në këtë situate? Cili ishte roli i negativ i KESH, që rrezikoi njëkohësisht edhe furnizimin me energji elektrike të qytetarëve? Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, arsyeja e parë përse mbërritëm në këtë situatë, ishte keqmenaxhimi i rezervave ujore në Kaskadën e Drinit, gjatë pjesës së dytë të vitit 2021 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2022. Në këtë periudhë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, thuhet se dështoi në menaxhimin e situatës, duke u detyruar të blejë energji me çmimin më të lartë në treg, gjë që detyroi qeverinë të fusë duart thellë në portofolin e saj të emergjencave dhe të nxjerrë nga aty fillimisht 160 milionë euro, për të shpëtuar sistemin nga katastrofa energjetike që po trokiste në derë.
“Keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit solli si pasojë rënien e rezervës hidroenergjetike në liqenin e Fierzës dhe rritjen e kërkesës për import të energjisë elektrike, në një periudhë që përkon me çmime shumë të larta të energjisë elektrike në bursë. Në këto kushte, qeveria shqiptare injektoi nëpërmjet instrumenteve financiarë 165 milionë euro dhe 20 miliardë lekë, që sistemi elektroenergjetik të mos kalonte në kolaps”, thotë Auditi i KLSH-së.