MENU
klinika

Do kryenin atentat në Elbasan?

Çfarë vendosi gjykata për mikun dhe kunatin e Erion Alibejt

24.02.2023 - 11:48

Me të vetmen provë një kartë identiteti me emrin e një shtetasi grek dhe fotografinë e Arben Spahiut, i njohur si vëllai i Arjan Spahiut dhe kunati i Erion Alibeit, prokuroria e Elbasanit ka çuar në Gjykatë dy miqtë e arrestuar për BMW X6-n e gjetur në Elbasan.

Armët e gjetura brenda makinë, bidonët e benzinës dhe më pas edhe zbulimi i pamjeve të vjedhjes së automjetit luksoz në Shkodër nuk kanë ndihmuar aspak grupin e hetimit për të konkretizuar autorësinë. Gjithçka që ka mbetur në tri ditët e hetimeve është vetëm ajo kartë me foton e Spahiut, si dhe historia që mbart familja dhe miqtë e tij.

Dy të arrestuarit si personat e dyshuar që ishin përgatitur për të kryer atentatin përgjatë gjithë seancave të marrjes në pyetje kanë mohuar të kenë lidhje me atë automjet, aq më tepër për ta braktisur në një vend të dukshëm. Policia dhe prokuroria nuk kanë mundur të gjejnë ende se kush janë autorët e grabitjes së mjetit luksoz në Shkodër, edhe pse ai moment ka pamje filmike. Ndërkohë që ende nuk dihet nëse policia dhe prokuroria kanë hapur kamerat e rrugëve për të mësuar itinerarin që ka përshkuar X6 e grabitur.

SEANCA
Arben Spahiu dhe Arsen Preçi kanë mbërritur në gjykatën e Elbasanit nën masa të rrepta sigurie. Ata u njohën me masën e sigurisë pasi akuzohen se me urdhër të Erion Alibej nga qelia tentuan të kryenin një atentat që dështoi pasi u zbulua BMË X6 me 3 kallashnikovë brenda. Ndaj Arben Spahiut u vendos masa e sigurisë “burg pa afat”, ndërsa për Arsen Preçin u vendos masa e sigurisë “burg me afat 2 muaj”. Teksa vijojnë hetimet për makinën BMW X6 që u gjet e mbushur me armë, një prej dyshimeve është për eliminimin e ndonjë hasmi të Spahiut apo edhe të Alibejt.

Mirëpo një tjetër pistë është hedhur në letër që lidhet me një inskenim të mundshëm të ngjarjes me synim fundosjen dhe arrestimin e Arben Spahiut dhe mikut të tij Arsen Preçi. Vetë 51-vjeçari Spahiu i tha grupit hetimor që dikush donte t’i bënte keq, pa përmendur persona të dyshuar. Megjithatë, prokuroria e Elbasanit pret rezultatet e ekspertimit të armëve, mjeteve të gjetura brenda çantës marsup të hedhur në koshin e mbeturinave, e cila u gjet nga policia, mes tyre edhe çelësi i mjetit BMË X6, dhe vetë makinës, për të parë përputhshmërinë e shenjave të gishtave dhe materialeve të tjera biologjike me ato të Spahiut dhe Preçit. Arrestimi i të dyve u bë pas lidhjes së dokumenteve të falsifikuara greke me fytyrën e Spahiut dhe çelësit të makinës, por edhe afërsisë së vendit ku mbahej makina me banesën e Erion Alibejt.

HETIMET
Referuar të dhënave që vijnë nga Elbasani bëhet me dije se në fakt janë një mori dyshimesh që po verifikohen për të mësuar se kush janë personat realë që e lanë mjetin aty. Duke patur parasysh faktin se Arben Spahiu ka një vëlla të vrarë dhe një tjetër në burg për mbajtjen e një arsenali armësh, grupi hetimor hedh dyshime që ia mund të kishte përgatitur një atentat që mund të kryhej të nesërmen e gjetjes së makinës.

Por në fakt policia, duket se ka gabuar në momentin që është përballur me makinën të mbushur me armë e benzinë, duke mos pritur që dikush t`i afrohej mjetit. Po ashtu, vendi në të cilin është lënë X6-ta sipas të dhënave është i pamonitorueshëm nga kamerat, ndaj ka qenë e pamundur të zbulohen personat që e kanë lënë aty makinën. Megjithatë për dy muaj, prokuroria e Elbasanit ka kohë të përcaktuar nga Gjykata për të zbardhur implikimin e dy personave të prangosur për atë çështje!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN