Një fotograf, i cili ndiqej nga mijëra persona në Instagram, aty ku postonte portrete mahnitëse ka zbuluar se imazhet e tij janë false. Të gjitha fotografitë që ai ka postuar janë krijuar nga Midjourney, një aplikacion që përdor inteligjencën artificiale për të gjeneruar imazhe.
Jos Avery, nga SHBA-ja, bashkëngjitur portreteve, shkroi dhe një histori të shkurtër, e cila po ashtu ishte e trilluar. Ai postoi foton e parë në muajin tetor të vitit të kaluar dhe që prej asaj kohe, llogaria e tij në Instagram u ndoq nga mbi 29 mijë persona. Në momentin që ai pranoi se imazhet ishin krijuar nga inteligjenca artificiale, ka pasur reagime të shumta, madje edhe një pjesë e ndjekësve janë larguar.
Në një portret të një burri të moshuar, Jos Avery ka shkruar “Bruce me zemër të madhe”. Ky është një ndër postimet që ka marrë reagime të shumta edhe pasi ai zbuloi se gjithçka është false. “Bruce nuk ekziston. Ai nuk i përket kësaj bote. Ai është thjesht një kod kompjuterik. Foto false dhe histori e shpikur”, ka shkruar dikush.