MENU
klinika

Toby Vogel tregon çfarë ndodh

Po nëse refuzohet plani franko-gjerman?

25.02.2023 - 11:04

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit dhe njohësi i zhvillimeve politike që ndërlidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka folur për “Zërin e Amerikës” lidhur me takimin e 27 shkurtit që do të mbahet në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vucic.

Vogel ka thënë se në versionet që janë publikuar deri tani të propozimit franko-gjerman e që janë ende të pavërtetuara nëse janë autentike, del se zgjidhja bazuar në këtë plan mund të funksionojë në favor të Serbisë.

Kur e thotë këtë, Vogel përmend faktin se sipas planit franko-gjerman, Serbia nuk detyrohet që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“ Mendoj se është plotësisht e qartë se ka përparësi që janë më afër qëndrimit të Serbisë, e cila nuk është e detyruar të pranojë pavarësinë e Kosovës. Asnjë nga versionet e teksteve që dolën në publik nuk parashikonte njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo është ajo që tregon pa mëdyshje se propozimi evropian duhet të jetë një lloj marrëveshjeje e përkohshme – sepse ai përfundimtar duhet të çojë në zgjidhjen e asaj çështjeje të veçantë. Kjo më çon në interpretimin se marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të arrihet nga të dyja palët për një kohë të gjatë ”, ka thënë ai.

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan ka folur edhe për mundësinë e refuzimit të propozimit franko-gjerman, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte një sinjal negativ për aspiratat evropiane.

Ai thotë se nëse do të ndodhte diçka e tillë atëherë mund të shihet skenari i ngjashëm me Qipron, kur ndërkombëtarët do të largonin vëmendjen dhe pastaj do të duheshin vite për ta rikthyer atë.

“Vështirë se mund të shoh një skenar sipas të cilit palët në proces do të thonin se heqin dorë dhe se nuk duan të flasin më – dhe, nga ana tjetër, ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të tërhiqen. Megjithatë, nëse kjo do të ndodhte – mendoj se skenari do të ishte i ngjashëm me Qipron. Diplomacia ndërkombëtare do ta largonte vëmendjen e saj në diçka tjetër dhe do të duheshin vite për të rikrijuar kushtet në të cilat palët do të merrnin pjesë në dialog me ndërmjetësimin ndërkombëtar ”, ka theksuar Toby Vogel.