MENU
klinika

Flet pas bisedës më Kurtin

Chollet: Koha që të diskutojmë për Asociacionin

25.02.2023 - 11:19

Të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo bisedë telefonike mes Kurtit dhe Chollet zhvillohet tre ditë para se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve në Bruksel.

E rreth asaj se çka u bisedua në mes Kurtit e Cholletit, ka treguar vet Këshilltari i Departamentit të Shtetit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Chollet thotë se tani është momenti për të diskutuar për asociacionin e komunave serbe.

“Shpreha qëndrimin se është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave serbe. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar gjatë procesit të dialogut”, shkroi Chollet në Twitter.

Chollet u shpreh gjithashtu se të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

“ShBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, është shprehur Chollet.

Në 6 shkurt pas një takimi me Miroslav Lajçak, të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Albin Kurti bëri me dije se do të pranojë planin franko-gjerman për të bërë të mundur normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.