Premier League e futbollit në Angli është në javën e 25-të. Tottenham triumfoi 2-0 me Chelsea në Londër, duke ftuar kështu derbin e kryeqytetit anglez. Blutë e Potter pësojnë humbjen e dytë radhazi, teksa kanë pesë ndeshje pa fitore duke qenë në rënie të lirë. Pas kësaj disfate trajneri i Chelsea rrezikon seriozisht shkarkimin.
Pa Antonio Conten në stol, Tottenham e nisi ndeshjen më mirë. Pjesa e parë nuk prodhoi gola, me lojën që u bë e fortë çka solli edhe tre kartona të verdhë. Goli i parë i takimit u shënua nga Skipp në minutën e 46, fill pas nisjes së pjesës së dytë.
Futbollisti i Spursave lëshoi një “predhë” nga jashtë zone, me sferën që nuk u kontrollua dot nga Kepa. Pas golit të pësuar, Chelsea nuk e pati forcën e reagimit, edhe pas ndryshimeve të shumta që u futën nga stoli. Minuta e 82 i vuri “vulën” tri pikëve të Spurs dhe për këtë mendoi kapiteni Kane që shënoi pas asistit të Dier.
Me këtë fitore Tottenham me 45 pikë mban vendin e katërt, teksa Chelsea mbetet në vendin e 10-të, 10 pikë larg zonës evropiane.