Partizani ka vendosur që derbi i kryeqytetit me Tiranën (Superliga java 24) do të luhet të hënën në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Pas shumë diskutimeve për stadiumin, me kërkesën e FSHF-së sfida me e ethshme në futbollin shqiptar do zhvillohet në impiantin me 22 mijë vende në kryeqytet.
“Demat” e Colellës janë pritës në këtë duel, teksa u hodh ideja që ndeshja të luhej në kompleksin “Partizani”. Impianti i kuq ka një kapacitet prej vetëm 4000 vendesh, me kërkesat që pritet t’i kalojnë 15 mijë për këtë duel.
Prestigji që ky duel i jep futbollit në vend dhe kërkesat e shumta kanë bërë që FSHF-ja t’i kërkojë klubit të kuq që përballja të zhvillohet në “Air Albania”, me këta të fundit që kanë rënë dakord.
Tanimë pritet vetëm që të dalin në shitje biletat, me tifozët e futbollit që kanë marrë një lajm të mirë. Tifozët e dy klubeve i kanë gati idetë për koreografitë, për përballjen derbi të së hënës.