MENU
klinika

Reagimi 2 ditë pas takimit

Vuçiç: Nuk pres që Kurti të formojë Asociacionin

01.03.2023 - 11:11

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur për mediat serbe pas takimit që pati në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në një intervistë për Radio Televizionin Serb (RTS), Vuçiç u shpreh se nuk pret që Kurti të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Duhet të mendojmë për veten dhe për të ardhmen tonë, kam frikë se pala tjetër nuk është serioze dhe po merren me gjërat e tyre ditore politike, a do të jetë pas një muaji, dy, tre, gjashtë, por një ditë dikush do të duhet të formojë Asociacionin. Kur kjo të ndodhë, atëherë na takon ne të diskutojmë tema jo të lehta dhe të vështira për ne,”- theksoi presidenti serb.

Vuçiç dhe Kurti zhvilluan një takim në Bruksel më 27 shkurt, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë, ku dhe pranuan propozimin e planit franko-gjerman, por firmosje nuk pati. Hapi i radhës është zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Pas takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian tha se palët janë shprehur të gatshme të punojnë në zbatimin e propozimit. BE-ja planifikon që në mars të ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në takim për të diskutuar për zbatimin e propozimit evropian.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN