Presidenti i Paris Saint-Germain Nasser Al-Khelaifi është duke u hetuar mbi akuzat për ‘rrëmbim dhe torturë’ në atdheun e tij, Katar.
Tre gjyqtarë francezë janë emëruar për të nisur një hetim ndaj shefit të PSG-së për ‘rrëmbimin dhe torturimin e dyshuar’ të lobistit franko-algjerian Tayeb Benabderrahmane, raporton L’Equipe.
Benabderrahmane, 42 vjeç, ka pohuar se është torturuar për 6 muaj në lidhje me zotërimin e dokumenteve të ndjeshme që ai dispononte për Khelaifin.
Siç u raportua për herë të parë nga Liberation në shtator të vitit të kaluar, Benabderrahmane thuhet se ishte arrestuar në Katar nga janari 2020, rreth tre muaj pasi u vendos në vend për të kryer lobimin.
Më pas dyshohet se 42-vjeçari është burgosur dhe torturuar, para se të vendosej në arrest shtëpie. Ai pretendon se është lejuar të largohet në nëntor vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje konfidencialiteti, e cila përcaktonte moszbulimin e natyrës ‘sensitive’ të dokumenteve që zotëronte.
Raportohet se këto dokumente kanë të bëjnë me dhënien e Kupës së Botës 2022 për Katarin si vend organizator, si dhe të drejtat televizive për edicionet 2026 dhe 2030 të turneut për BeIN Media.
Korporata e transmetimit me bazë në Katar drejtohet nga Al-Khelaifi, i cili u akuzua se kishte bërë një pakt me ish-sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, përpara se të shpallej i pafajshëm në tetor 2020.
“Ne jemi shumë të lumtur që dosja e vërtetë e kësaj historie është hetuar më në fund nga drejtësia franceze,” thanë avokatët e Benabderrahmane, Maitres Romain Ruiz dhe Gabriel Vejnar.