MENU
klinika

Analiza nga "BIRN"

Humbjet e energjisë elektrike nuk ulen, deficiti kushton shtrenjtë

03.03.2023 - 15:13

Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri u ul me 6% gjatë vitit të kaluar si pasojë e rënies së konsumit nga industria, ndërkohë që familjet duket se injoruan këshillat e qeverisë duke konsumuar një sasi pothuajse të njëjtë me vitin 2021. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se Shqipërisë iu desh të importojë rreth 921 milionë kilovat/orë, ose vetëm 11% e konsumit total, por këto 11% kushtuan qindramilionë euro për shkak të çmimeve të çmendura në tregun rajonal, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Ndërsa Shqipërisë iu desh të mbulojë me importe 11% të konsumit, asaj iu desh të mbulojë humbje në rrjet, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknike, në masën 20% ose gati 1.7 milionë kWh. Me pak fjalë, ndërsa taksapaguesi u detyrua të shpenzojë shuma të majme për të paguar energji me çmim deri në 500 euro për MWh, këto para shkuan për të mbuluar humbjet në rrjet të OSHEE. Sipas të dhënave të publikuara, 478 milionë KWH ishin humbje jo-teknike të krijuara më së shumti nga vjedhjet në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa 980 milionë të tjera ishin humbje teknike. “Humbje jo-teknike” është eufemizma zyrtare për vjedhjet nga ndërhyrjet e paautorizuara në rrjet.

Humbjet janë anomalisht të larta. Në kushte normale, vetëm 8% e energjisë së hedhur në rrjet do të ishte humbje e pashmangshme ndërsa shifra aktuale është 20%. Nëse humbjet do të ishin në nivele normale, vendi do të kishte siguruar të gjithë energjinë e nevojshme me burime të brendshme pa pasur nevojë që të shpenzonte qindramilionë euro për energji importi.

Humbjet, përveç faktit që janë anomalisht të larta, kanë tashmë katër vjet që nuk ulen pothuajse fare.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri ishte 7 miliardë kWh gjatë vitit 2022, me një rënie prej 22% në krahasim me vitin 2021. Rreth 44% e energjisë u prodhua nga hidrocentralet nën pronësi private apo të huaj ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet e Drinit, të cilat janë nën pronësi të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Rënia e prodhimit në sektorin publik ishte 28% ndërsa në sektorin privat ishte vetëm 13%. Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri luhatet në varësi të rreshjeve dhe të eficiencës së menaxhimit të kaskadës së Drinit. Rreshjet gjatë vitit të kaluar kanë qenë më të ulëta se sa më 2021 por shkalla më e lartë e rënies së prodhimit në hidrocentralet publike duket se lidhet me menaxhimin e keq të Kaskadës së Drinit në muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, lartësia e ujit në Hidrocentralin e Fierzës ishte ndjeshëm më e ulët se sa mesatarja shumëvjeçare gjatë periudhës janar-mars dhe pas muajit korrik. Si rregull, sa më i lartë të jetë niveli mesatar i Fierzës, aq më shumë energji prodhohet për të njëjtën sasi uji të derdhur.

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes kanë qenë mburrje për qeverinë aktuale në vitet e shkuara, por puna për reduktimin e tyre në nivele normale ka ngecur tashmë prej shumë vitesh. Në vitin 2018, humbjet ishin 23.4% ndërsa në vitin 2022 ranë në 21%, një rënie minimale kjo.

Vjedhjet në masën 478 milionë KWh, të cilat me çmimet aktuale të importit kushtojnë mbi 70 milionë euro, shkaktohen thjesht nga paaftësia e OSHEE për të gjetur lidhjet e paligjshme ndërsa humbjet teknike supozohet se shkaktohen nga vjetrimi i pajisjeve apo mosmirëmbajtja e tyre e rregull, probleme këto që dukshëm nuk janë pa zgjidhje./BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN