Në kulmin e tij në vitet 1930, kompleksi River Rouge i kompanisë Ford, në periferi të Detroitit, punësonte rreth 100,000 njerëz dhe prodhonte një makinë çdo 49 sekonda. Artisti amerikan, Diego Rivera, bëri disa piktura në mure që tregonin punëtorët heroikë dhe makinat futuriste, duke punuar në harmoni për të sjellë një epokë të re lavdie.
Pothuajse një shekull më vonë, River Rouge po bën një transformim. Punëtorët e ndërtimit po zgjerojnë linjat e montimit që prodhojnë modelin F-150 Lightning, versioni elektrik i kamionçinës më të shitur në Amerikë.
Ka më pak zhurmë se në kohën kur kompleksi u vizitua nga Rivera. Kthetrat mekanike i lëvizin pa mundim kornizat e automjeteve nga një vend në tjetrin. Karrocat që lëvizin automatikisht rrëshqasin nëpër dyshemenë e fabrikës. Ford shpreson të ketë një rritje të shitjeve, falë kredive të reja tatimore për njerëzit që blejnë automjete elektrike të prodhuara në Amerikë.
Por nuk është vetëm fabrika ajo që po shijon një rilindje: po ashtu edhe ëndrra që mishëronte dikur River Rouge, për një Amerikë të begatë me prodhimin më të përparuar në botë.
Gjatë dy viteve të fundit, me nxitjen e presidentit Joe Biden, demokratët në Kongres kanë miratuar një sërë ligjesh për të rritur prodhimin vendas në Amerikë, si pjesë e një projektligji prej 2 trilionë dollarësh.
Akti i Çipave, i miratuar në korrik, përfshin 39 miliardë dollarë për të nxitur prodhimin vendas të gjysmëpërçuesve, së bashku me investime edhe më të mëdha në kërkim dhe zhvillim. Akti i Uljes së Inflacionit (IRA), i miratuar në gusht, nxit energjinë e pastër në shumë mënyra, duke përfshirë kreditë tatimore për prodhimtarinë.
Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerëson se këto do të kushtojnë 37 miliardë dollarë gjatë një dekade, megjithëse mund të jetë shumë më tepër, pasi akti IRA nuk kufizon vlerën totale të kredive të nevojshme.
Ka subvencione të tërthorta edhe për prodhuesit, në formën e kreditimit të taksave për konsumatorët që blejnë mallra të prodhuara në Amerikë. Ka edhe një sërë rregulloresh miqësore për fabrikimin, si rregullat “Buy American”. Në vitin 2021, Kongresi miratoi 1.2 trilionë dollarë shpenzime për infrastrukturën, për ta bërë prodhimin amerikan më konkurrues.
Subvencionet zbatohen kryesisht për dy industri: energjinë e pastër dhe gjysmëpërçuesit. Synimi nuk është vetëm të nxitet prodhimi, por edhe të frenohen ndryshimet klimatike, të kufizohet varësia ndaj Kinës dhe të zhvillohen pjesët e Amerikës që kanë mbetur mbrapa. Kjo axhendë ambicioze ndihmon për të shpjeguar pse ligjet përmbajnë kaq shumë stimuj financiarë të ndërlikuar.
Disa marrin formën e kredive tatimore të lidhura me vëllimet e prodhimit: 3 dollarë për çdo kilogram hidrogjen të gjelbër, ose 35 dollarë për çdo kilovat/orë kapacitet baterie. Panelet diellore, turbinat e erës, madje edhe disa minerale të përdorura në teknologjinë e pastër, përfitojnë nga kredi të ngjashme.
Ka edhe kredi tatimore për investime në prodhimin e pajisjeve të përdorura në të gjitha llojet e projekteve të energjisë së pastër, nga energjia gjeotermale, deri te kapja dhe ruajtja e karbonit.
Të njëjtat industri do të nxiten edhe nga subvencionet e shumta jo të tërthorta. Investimet në prodhimin e energjisë me karbon të ulët, do të përfitojnë nga kredi më të mëdha tatimore nëse pajisjet e përfshira prodhohen në Amerikë. Në të njëjtën mënyrë, kreditë tatimore për konsumatorët që blejnë makina elektrike mund të merren vetëm nëse makinat në fjalë janë prodhuar në Amerikën e Veriut.
Shtetet individuale po japin gjithashtu ndihma. Georgia, kohët e fundit, ka ofruar mbi 3 miliardë dollarë stimuj financiarë për dy prodhues makinash që ndërtojnë fabrika të automjeteve elektrike. Michigan, i tronditur nga njoftimi i kompanisë Ford në vitin 2021 se do të ndërtonte fabrika të reja në Kentucky dhe Tennessee, po imiton shtetet jugore, duke ofruar kredi për prodhuesit që investojnë brenda shtetit. Qëllimi është që të ndihmohen firmat të ndërtojnë fabrika sa më shpejt të jetë e mundur.
Përpjekjet për rritjen e prodhimit vendas
Këto përpjekje për të nxitur disa industri, tashmë duket se po japin fryte, pavarësisht nga një ngadalësim i përgjithshëm në prodhimtari (një indeks i aktivitetit prodhues ra në janar). Prodhuesit e makinave njoftuan projekte me vlerë 68 miliardë dollarë në vitet 2021 dhe 2022 – bumi më i madh i industrisë së ndërtimit në disa dekada. Që kur Biden u bë president, Shtëpia e Bardhë thekson me krenari se prodhuesit kanë njoftuar rreth 290 miliardë dollarë në investime.
Në fakt, pjesa më e madhe e këtij investimi u nis që përpara se Kongresi të miratonte subvencionet e reja. Por që kur akti IRA u bë ligj, First Solar, një prodhues i moduleve diellore, ka thënë se do të zgjerojë prodhimin në Ohio dhe do të ndërtojë një fabrikë të re në Alabama. Në janar, Hanwha Qcells tha se do të shpenzonte 2.5 miliardë dollarë për të pesëfishuar prodhimin në Georgia.
Prodhuesit e çipave kanë njoftuar rritje të ngjashme të investimeve, me 200 miliardë dollarë të shpërndara në 16 shtete. Firma tajvaneze TSMC, po ndërton një fabrikë të re në Arizona, kompania Intel po ndërton një në Ohio dhe firma Micron po ndërton një në Nju Jork.
Firmat më të vogla që furnizojnë këta prodhues të çipave, po bëjnë gjithashtu plane të mëdha. Tom Stringer nga firma BDO, që këshillon prodhuesit se ku të ndërtojnë fabrika të reja, po ndihmon disa dhjetëra furnizues çipash që kërkojnë vendndodhje të mira.
Akti IRA mund të nxisë 1.7 trilionë dollarë në investime publike dhe private, mendon Banka Credit Suisse. Shpenzimet e lëshuara prej këtij akti, ligjit mbi çipat dhe atij mbi infrastrukturën, janë “ndër investimet më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë”, deklaroi Janet Yellen, sekretarja e Departamentit të Thesarit. Në një vizitë në fabrikën e re të TSMC-së në Arizona në dhjetor, zoti Biden tha i kënaqur:
“Ne po i prodhojmë mallrat këtu në Amerikë dhe po i dërgojmë produktet tona jashtë shtetit, në vend që t’i dërgojmë vendet e punës dhe prodhimet jashtë shtetit dhe të marrim produktet në atdhe”.
E gjithë kjo shënon kthesë të madhe. Për 40 vitet e fundit, qeveritë e njëpasnjëshme amerikane kanë ndjekur një recetë të ndryshme për rritjen ekonomike: marrëveshje të tregtisë së lirë, taksa të ulëta dhe ligje rregullatore relativisht të pakta, veçanërisht për vendet ku prodhohen gjërat. Në të vërtetë, Amerika ankohej për politika të tilla kur vendet e tjera i miratonin ato.
Prodhimi ka qenë prej kohësh në rënie si pjesë e PBB-së së Amerikës. Megjithatë, shumica e ekonomistëve e shohin këtë si të natyrshme. Sepse, ndërsa vendet bëhen më të pasura, një pjesë në rritje e prodhimit kalon në shërbime. Në terma absolutë, sidoqoftë, prodhimi ka vazhduar të rritet (shih grafikun 1).
E njëjta gjë nuk është e vërtetë për vendet e punës në prodhim, të cilat kanë rënë, pasi fabrikat janë bërë më efikase. Ata ranë nga një kulm prej 19.5 milionë në vitin 1979, në 11.4 milionë në vitin 2010, dhe u rritën paksa duke shkuar në 12.8 milionë sot. Si pjesë e punësimit total, rënia ka qenë edhe më e shpejtë (shih grafikun 2).
Ekonomistët hamendësojnë se amerikanët që humbasin vendet e punës në fabrika, do të jenë në gjendje të gjejnë lloje të tjera punësh. Ky besim është vërtetuar nga shkalla e papunësisë, e cila ka rënë, edhe pse vendet e punës në fabrika po zhduken dhe papunësia tani është në nivelin 3.5%, më i ulëti në 50 vjet.
Megjithatë, politikanët nuk janë kaq optimistë. Kjo për shkak se vendet e reja të punës shpesh nuk ofrohen në të njëjtat pjesë të vendit si ato të vjetrat. Një arsye pse Donald Trump e fitoi presidencën, ishte sepse ai ankohej pa pushim për rënien industriale të Amerikës, një mësim i përthithur nga të dyja palët.
“Ku është shkruar”, pyeti Biden gjatë vizitës së tij në fabrikën e prodhimit të çipave të TSMC-së në Arizona, “që Amerika nuk mund të udhëheqë botën përsëri në prodhim?”
“Në dekadat e fundit, fokusi u bë shumë i ngushtë”, shpjegon zonja Yellen për The Economist. Gjatë vitit të kaluar, ajo ka ndjekur një vizion alternativ, të cilin e quan “ekonomi moderne nga ana e ofertës”.
Ky vizion e vë theksin mbi efektet e dobishme të investimeve publike – në trajnime, shërbime sociale, energji të pastër dhe në prodhimin e mallrave të caktuara. Kjo axhendë lidh me zgjuarsi qëllimin për të ndihmuar prodhimin, me disa qëllime të tjera, duke përfshirë uljen e emetimeve të gazrave serë në Amerikë, kufizimin e varësisë nga importet e mallrave strategjike dhe forcimin e epërsisë teknologjike ndaj Kinës.
Strategjia e presidentit për sigurinë kombëtare, e publikuar në tetor, shpallte si prioritet kryesor të administratës “fitoren e garës ndaj Kinës”. Ajo veçonte si dobësi kritike gjysmëpërçuesit, ku më të avancuarit prodhohen në Tajvan dhe kështu mund të bëhen të paarritshëm nëse Kina e pushton vendin, dhe gjithashtu pajisjet me energji të pastër, një industri ku Kina mbizotëron. “Kapaciteti ynë prodhues është ulur jashtëzakonisht shumë”, thotë zonja Yellen, “kështu që kjo nuk ka të bëjë vetëm me rritjen afatgjatë të produktivitetit, por edhe me sigurinë kombëtare”.
Kjo pikëpamje nuk ndahet vetëm nga demokratët. Akti i Çipave u miratua me mbështetjen e republikanëve. Madje edhe disa republikanë që votuan kundër, si Marco Rubio, senator nga Florida, mbështesin logjikën që qëndron pas tij. “Nuk mund të jesh një fuqi e madhe nëse nuk je një fuqi industriale”, paralajmëroi ai vitin e kaluar. “Duhet të jesh në gjendje të prodhosh”.
Për më tepër, vë në dukje Brian Deese, kreu i Këshillit Ekonomik Kombëtar, administrata e zotit Biden nuk është administrata e parë që bën investime të mëdha në industri, ose infrastrukturë strategjike.
Ai jep si shembull shpenzimet e qeverisë federale në mesin e shekullit XX për fusha si, elektrifikimi rural, autostradat ndërshtetërore dhe gara hapësinore. Vendi, asokohe, investonte afërsisht 6% të PBB-së në vit, për nisma të tilla.
Shpenzimet e zotit Biden nuk janë aq bujare. Subvencionet e tij për industritë e favorizuara arrijnë në rreth 0.5% të PBB-së. Por kjo është më shumë se çdo ekonomi tjetër e madhe. Një shumë e jashtëzakonshme shkon për ndërmarrjet private. Dhe përfshin një gamë të gjerë industrish, nga energjia bërthamore te prodhimi i çipave. Për më tepër, mbështetja nuk është vetëm për teknologjinë e sapolindur, por edhe për mallrat e përdorura gjerësisht, si gjysmëpërçuesit dhe panelet diellore.
Subvencionet tashmë po i japin një formë të re industrisë amerikane, dhe zinxhirët e furnizimit po riformohen sipas linjave që dëshironin politikanët amerikanë. Më 31 janar, General Motors, prodhues i madh makinash, njoftoi një investim prej 650 milionë dollarësh në një minierë të re litiumi në Nevada.
Amerika mund të bëhet një eksportues neto i mallrave, prodhimi vendas i të cilave është aktualisht i papërfillshëm: Banka Credit Suisse llogarit se panelet diellore të prodhuara në Amerikë, mund të plotësojnë plot 90% të kërkesës së brendshme deri në vitin 2030, një perspektivë që do të kishte qenë krejt e papërfytyrueshme përpara miratimit të aktit IRA.
Nxitja e prodhimit do të ndihmojë edhe në realizimin e ambicieve ekologjike të zotit Biden. Akti Ira i kthen shkurtimet e emetimeve të gazrave serë të Amerikës, në një ndihmë për industrinë, jo në një barrë, duke i bërë ato shumë më të këndshme politikisht.
Qeveria federale vlerëson se akti do të ndihmojë në uljen e emetimeve të Amerikës në 60% të nivelit të vitit 2005, deri në vitin 2030. Kjo do të ishte një arritje mjaft e madhe, duke pasur parasysh refuzimin e mëparshëm të Kongresit për të votuar për uljen e emetimeve.
Por kjo krijon, nga ana tjetër, edhe shumë probleme praktike. Në disa raste, do të jetë e vështirë që të zhvillohen furnitorë të rinj aq shpejt sa parashikon akti IRA. Për shembull, do të jetë e vështirë të ndërtohen fabrika të reja diellore pa përdorur pajisje nga Kina, e cila e mbizotëron tregun në këtë fushë. “Ne duam shumë gjëra që nuk janë në përputhje me faktet në terren”, thotë Willy Shih nga Shkolla e Biznesit të Harvardit.
E njëjta gjë vlen edhe për kreditimin e taksave për makinat elektrike. Që blerësit të marrin zbritjen e plotë prej 7,500 dollarësh, një pjesë e mirë e materialeve të përdorura për prodhimin e baterive të makinave, duhet të ketë ardhur ose nga Amerika, ose nga një shtet me të cilin ajo ka një marrëveshje të tregtisë së lirë.
Problemi është se shumë nga mineralet në fjalë, janë të përqendruara në shtete me të cilat Amerika nuk ka një marrëveshje të tregtisë së lirë, si Malajzia dhe Indonezia në rastin e nikelit dhe Argjentina në rastin e litiumit.
Minierat e reja kërkojnë vite për t’u ndërtuar (dhe tani arritja e marrëveshjeve të reja tregtare është edhe më e mundimshme, të paktën në Amerikë), kështu që prodhuesit mund të duhet të heqin dorë nga kreditimi i plotë i taksave, në vend që të respektojnë kufizimet e aktit IRA.
Zbutja e rregullave do të ulte koston e automjeteve elektrike. Departamenti i Thesarit ka sinjalizuar se mund të bëjë pikërisht këtë, në rregulloret e hollësishme që do të publikohen në mars. Por Joe Manchin, një senator që për pak sa nuk e hodhi poshtë aktin IRA, është ndër ata që e kundërshtojnë ashpër çdo butësi. Në fund të janarit, ai paraqiti një projektligj që synonte të lidhte duart e burokratëve.
“IRA është, para së gjithash, një faturë e sigurisë së energjisë”, deklaroi ai, “dhe kreditë e taksave evidente janë krijuar për të rritur prodhimin vendas dhe për të ulur varësinë tonë nga zinxhirët e furnizimit të huaj”. Pra, pritet të shpërthejë një sherr i turpshëm.
Elemente të tjera të nxitjes së prodhimit mund të vuajnë nga problemi i kundërt: teprica. Shumë nga mallrat që Amerika kërkon të prodhojë, janë në rrezik mbifurnizimi, duke përfshirë çipat dhe panelet diellore.
Marzhet e prodhuesve të çipave po bien, për shkak të rënies së shitjeve të kompjuterëve laptop: më 27 janar, kompania Intel raportoi një rënie prej plot 32% të të ardhurave në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Normalisht, hapja e fabrikave të reja gjysmëpërçuese me vlerë 20 miliardë dollarë, vetëm sa do t’i përkeqësonte problemet e saj.
Gara për tërheqjen e kompanive
Përhapja e subvencioneve në Amerikë ka shkaktuar edhe ankesa nga fuqitë e tjera prodhuese, të cilat kanë frikë se kompanitë e tyre do të jenë në disavantazh. Koreja e Jugut është zemëruar për rregullat e automjeteve elektrike, duke thënë se ato dëmtojnë prodhuesit koreanojugorë të makinave, që po ndërtojnë fabrika të reja në Amerikë, pasi furnizuesit e tyre nuk i përmbushin ende standardet e ligjit IRA. Në nëntor, kur u përhapën fjalët se firma Northvolt, një prodhues europian i baterive, mund të investojë në Amerikë dhe jo në Gjermani, kjo shkaktoi të dridhura nëpër Europë.
Përplasje të tilla mund të shndërrohen në një luftë tregtare. Më 1 shkurt, Komisioni Europian njoftoi një plan të ri për të mbështetur industrinë e gjelbër, ku planifikon të investojë rreth 250 miliardë euro (272 miliardë dollarë).
Synimi është të parandalohet që Amerika të tërheqë kapitalin e gjelbër nga përtej Atlantikut. Kina, BE-ja, India, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani, tani ofrojnë subvencione bujare për prodhuesit e çipave. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka paralajmëruar një “garë të gjatë për ndihmën shtetërore”.
Këto mosmarrëveshje do ta përkeqësojnë kërkesën për çipa. Dhe ato mund të krijojnë një cikël varësie, pasi prodhuesit e çipave në vështirësi kërkojnë ndihmë të mëtejshme për të qëndruar në biznes, duke zgjatur periudhën e mbifurnizimit dhe duke rritur faturën për taksapaguesit.
Subvencionet që u ofrohen prodhuesve të çipave në mbarë botën, shtojnë deri në 60% të xhiros totale vjetore. Megjithatë, Intel po kërkon subvencione më të mëdha për një fabrikë gjysmëpërçuese të propozuar në Gjermani.
Mbështetësit e zotit Biden përgjigjen se ulja e kostos së mallrave thelbësore është pjesë e qëllimit të nxitjes së prodhimit, jo një efekt anësor fatkeq. Në të vërtetë, ata argumentojnë se bota do të përfitojë nga subvencionet amerikane, të cilat do të ndihmojnë në futjen e teknologjive të reja dhe kështu do t’i bëjnë ato më të lira për të gjithë në një periudhë afatgjatë. “Akti i Uljes së Inflacionit do të stimulojë rënien e kostos së energjisë së pastër, që do të ketë efekte pozitive në mbarë botën”, pohon znj. Yellen. Por partnerët tregtarë të Amerikës nuk po shprehin ndonjë mirënjohje.
Një problem tjetër i mundshëm është përplasja midis qëllimeve të ndryshme të politikës së re industriale. Për të maksimizuar përfitimet për punëtorët, demokratët i bashkëngjitën kërkesa disa prej kredive tatimore, që kompanitë të paguajnë paga të mira dhe të punësojnë një numër të caktuar praktikantësh.
Rregulla të tjera nxisin ndërtimin e objekteve të reja në vende me miniera qymyri ose depozita nafte dhe gazi, në mënyrë që punëtorët, të cilët humbasin vendet e punës për shkak të energjisë ndotëse, të mund të gjejnë pa probleme punë më ekologjike. Por të gjitha këto kushte rrisin koston e ndërtimit, ose administrimit të objekteve të reja, dhe në këtë mënyrë, i bëjnë investimet më pak tërheqëse.
Në të gjitha rastet, ndihma e shtetit do të sjellë ndërhyrjen e qeverisë. Departamenti i Tregtisë u tha prodhuesve të çipave vitin e kaluar se, në dhënien e subvencioneve, do të favorizonte kompanitë që investojnë në kërkime dhe trajnime. Por nëse subvencionet rrisin rrezikun e uljes së fitimit të aksionerëve, disa kompani mund të mos i kërkojnë fare ato.
Ndoshta pikëpyetja më e madhe qëndron mbi qëllimin kryesor të zotit Biden për të ringjallur klasën e mesme, duke krijuar shumë vende pune me paga të larta në fabrika. Ky rigjallërim nuk është i nevojshëm.
Pothuajse nëntë në dhjetë burra në kulmin e moshës së punës (midis 25 dhe 54 vjeç) ose kanë një punë, ose janë në kërkim të punës, një shkallë pjesëmarrjeje në fuqinë punëtore që e vendos Amerikën në të njëjtin nivel me shumicën e vendeve në botën e pasur, nga Norvegjia në Korenë e Jugut. Rënia e përqindjes së vendeve të punës të lidhura me prodhimin në fabrika, nuk është më e madhe se në vendet e tjera të pasura. Në raport me PBB-në, Amerika prodhon në fabrika më shumë se Britania ose Franca, por më pak se Gjermania dhe Japonia.
Për më tepër, edhe pse prodhimi është dobësuar, disa pjesë të tjera të ekonomisë janë forcuar. Për shembull, softueri dhe hulumtimi përbëjnë një pjesë shumë më të madhe të prodhimit sesa dikur.
Nga këto ndryshime kanë përfituar jo vetëm të pasurit, por edhe klasa e mesme.
Që nga viti 2010, të ardhurat e disponueshme për familjet mesatare amerikane janë rritur me rreth 20%. Megjithëse tregu i punës është shtrënguar në vitet e fundit, punëtorët më të varfër të Amerikës kanë pasur përfitime. Që nga viti 2015, ata kanë pasur rritjen më të shpejtë të pagave, duke ndihmuar në eliminimin e pabarazisë.
Nga ana tjetër, nxitja industriale e administratës Biden, duket se do të zhgënjejë për sa i përket krijimit të vendeve të punës. Në shtator, kur IRA dhe Akti i Çipave ishin bërë ligj, Zyra e Statistikave të Punës (BLS), një agjenci qeveritare, publikoi parashikimet për rritjen e vendeve të punës midis viteve 2021 dhe 2031. Ajo parashikoi krijimin e 2.6 milionë vendeve të punës në kujdesin shëndetësor dhe asistencën sociale, 1.9 milionë në hoteleri dhe 1.5 milionë në shërbime profesionale dhe biznesi. Prodhimi kishte të ngjarë të hiqte rreth 140,000 vende pune.
Punët e reja, për shembull, ato në montimin e hidrogjenit të gjelbër ose të automjeteve elektrike, mund të mos përbëjnë një fitim neto, por janë një zëvendësim për vendet e punës në rafinimin e naftës ose fabrikat e makinave.
Për më tepër, zhvillimi i këtyre industrive të reja mbështetet, në një masë të madhe, në subvencione dhe ligje rregullatore, të cilat shkaktojnë kosto në ekonomi, nëpërmjet taksave dhe çmimeve më të larta. Pas llogaritjes së efekteve të tilla, firma Penn Wharton arriti në përfundimin se IRA nuk do të sillte asnjë ndryshim në PBB deri në vitin 2030. Pra, tregu i punës i Amerikës, mund të bëhet më i gjelbër, por jo më i madh.
Edhe nëse krijohen relativisht pak vende të reja pune, ato mund të jenë më të paguara. Që nga mesi i shekullit XX, produktiviteti në prodhim është rritur më shpejt se në pjesët e tjera të ekonomisë, gjë që i ka lejuar fabrikat të paguajnë paga më të larta. Por rritja e produktivitetit është një thikë me dy presa: ajo pasqyron faktin se më pak njerëz po bëjnë më shumë punë, të ndihmuar nga më shumë robotë. Prodhuesit amerikanë të makinave dhe furnizuesit e tyre, porositën rreth 40% më shumë robotë në vitin 2022 sesa në 2021.
Kjo e bën jashtëzakonisht të shtrenjtë krijimin e punësimit nëpërmjet investimeve në rritjen e prodhimit. Investimet private prej 200 miliardë dollarësh në fabrikat e përfshira në prodhimin e çipave, do të krijojnë rreth 40,000 vende pune, sipas Shoqatës së Industrisë së Gjysmëpërçuesve.
Gjysmëpërçuesit janë një shembull ekstrem, sepse prodhimi i tyre kërkon kapital shumë intensiv. Por e njëjta prirje është e dukshme në të gjithë industrinë e prodhimit. Universiteti Massachusetts Amherst vlerëson se IRA do të krijojë 912,000 vende pune çdo vit gjatë dekadës së ardhshme, me një kosto prej 98 miliardë dollarësh në vit, në investime publike dhe private. Kjo shifër është më shumë se 100,000 dollarë për punëtor.
Në të vërtetë, shumë ekonomistë fajësojnë automatizimin për humbjen e vendeve të punës në fabrikat e Amerikës, po aq sa edhe konkurrencën nëpërmjet tregtisë. Këtë pikëpamje e mbështet rënia afatgjatë e punësimit në prodhim, duke filluar nga viti 1980, shumë kohë përpara se të përhapeshin marrëveshjet e tregtisë së lirë. Daron Acemoglu nga Universiteti MIT, ka zbuluar se vendet në Amerikë që instalojnë më shumë robotë, kanë prirjen që të humbasin më shumë vende pune në prodhim.
Do të ketë ende shumë vende të reja pune në industritë e ardhshme. Në listën e BLS-së të 20 profesioneve që ka të ngjarë të rriten më shpejt në dekadën e ardhshme, teknikët e turbinave me erë renditen në vendin e dytë dhe instaluesit e paneleve diellore në vendin e 18-të.
Por të dyja këto profesione janë ende shumë të papërhapura. Kjo do të thotë se gjatë dekadës së ardhshme, Amerika do të prodhojë 20 infermierë të rinj, për çdo teknik turbinash ose instalues diellor.
Për më tepër, shumë nga këto punë me energji të pastër, nuk do të përfshijnë vende pune të paguara mirë në fabrika. Ato përfshijnë punë të rënda fizike, shpesh në vende të largëta, dhe me shpërblime të pakta. Si teknikët e turbinave, ashtu edhe instaluesit diellorë, fitojnë rreth 50,000 dollarë në vit, shumë më pak se shuma rreth 80,000 dollarë që marrin infermierët, megjithëse rregullat e ligjit IRA mund të rrisin pagën e tyre.
Në të vërtetë, sfida e vërtetë për tregun e punës të Amerikës mund të mos jetë krijimi i mjaftueshëm i vendeve të mira të punës, por përkundrazi, garantimi që ka mjaftueshëm punëtorë të mirë për të gjitha vendet e punës që qeveria dëshiron të krijojë. Rreth 75% e grave në kulmin e moshës së punës janë në fuqinë punëtore, pesë pikë përqindje nën mesataren e G7-ës, një klub i ekonomive më të mëdha dhe të pasura.
Në pjesën tjetër të G7-ës, pjesa e grave në punë, është rritur gjatë dy dekadave të fundit; Amerika është i vetmi vend anëtar që ka pësuar rënie. Mungesa e kaq shumë punëtorëve potencialë, do të bëhet më e dukshme ndërsa popullsia plaket me kalimin e viteve.
Kur zonja Yellen filloi të promovonte “ekonominë moderne nga ana e ofertës”, ajo theksoi elemente të axhendës së zotit Biden që synonin të nxisnin më shumë gra në punë, duke përfshirë shpenzimet e mëdha për kujdesin ndaj fëmijëve dhe arsimin e hershëm. Por këto politika u braktisën mes grindjeve me Kongresin.
Nxitja e zotit Biden për prodhimin ka përfshirë një akt të vështirë balancimi politik. Asnjë republikan nuk votoi për ligjin IRA. Edhe disa demokratë, si Manchin, mezi u bindën. Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve as nuk e kanë fare idenë se për çfarë flet ligji.
Tani që paratë kanë filluar të rrjedhin, republikanët do të jenë më pak të prirur për ta kundërshtuar atë. Në fund të fundit, pjesa më e madhe e investimeve shkon në shtetet e qeverisura nga republikanët, si Texas dhe Tennessee. Akti i Çipave, me mesazhin për të kundërshtuar Kinën, ka pasur gjithmonë mbështetje dypartiake.
Por ka qenë e nevojshme që grupe të ndryshme interesi të blihen me politika të shtrenjta: lëvizja e punëtorëve me paga më të larta, industria me subvencione të tepruara, zona të prapambetura me fabrika të reja, etj.
Kostoja e gjithë kësaj do të bjerë mbi taksapaguesit, konsumatorët dhe aksionerët. Ata po paguajnë për shkurtimet e nevojshme urgjente të emetimeve që politikanët amerikanë nuk ishin të gatshëm t’i bënin më parë. Kompromisi i ndërlikuar politik i zotit Biden është jashtëzakonisht joefikas dhe nuk është aspak fillimi i një epoke të re begatie, të drejtuar nga prodhimi, por megjithatë, do ta ndryshojë Amerikën dhe botën./ Monitor.al