MENU
klinika

Kryeqyteti 'mban frymën'

Luhet derbi Partizani – Tirana!

06.03.2023 - 13:46

Superliga shqiptare e futbollit zhvillon sot tre ndeshjet e mbetura për javën e 24. Me fillim nga 19:00 vëmendja do jetë në “Air Albania”, aty ku luhet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Para ndeshjes kanë folur trajnerët e dy skuadrave, Giovanni Colella dhe Orges Shehi. Italiani i Partizanit kërkon që të vijojë garën me lojtarët që ka, duke mos “qarë” largimet e janarit. Shehi nga kampi bardheblu e sheh duelin më shumë se sportiv, për vetë atmosferën që tifozët dhurojnë në stadium. Para ndeshjes, Tirana kryeson Superligën me 40 pikë, ndërsa Partizani me 37 pikë renditet në vendin e tretë.

Juxhin Xhaja është gjyqtari kryesor në këtë takim, teksa arbitra anësorë do të jenë Nertil Bregasi dhe Dojando Myftari, teksa Erjon Bastari do të jetë në rolin e arbitrit të katërt. Në VAR lezhjani Eldorjan Hamiti.

Trajneri i Partizanit: “Kjo është një ndeshje që përgatitet për t’u fituar, por se çfarë ndodh pastaj nuk e di. Ne përgatitemi gjithmonë që të fitojmë, pastaj varet nga ndeshja. Tirana? Tirana është padyshim më e fortë se ne në menaxhimin e situatave, sepse është një skuadër më eksperte. Ne ndoshta ndonjëherë mund të jemi pak më brilant si skuadër. Por është një sfidë shumë e ekuilibruar. Mendoj se të mbërritur në këtë pikë të kampionatit, klasifikimi pasqyron atë që po ndodh. Nuk jemi në javën e 3-të, por në të 23-tën, ndaj klasifikimi flet qartë. Tirana me 40 dhe ne me 37. Kjo sa i përket Partizanit e Tiranës, ka edhe skuadra të tjera që të tjerët nuk i marrin në konsideratë, por janë ngjitur pas. E duhura është të luajmë derbin në maksimum dhe pastaj të shohim”, tha Colella.

Më pas trajneri u ndal edhe te formacioni që do hedhë sot në fushë, teksa sipas tij jeta vazhdon edhe pse nga ekipi u larguan disa futbollistë të rëndësishëm në merkaton e janarit.

“Formacioni? Kam disa dyshime sot, sepse janë disa lojtarë që nuk janë në maksimum, ndaj do i shoh tani. Lojtarët e larguar? Në futboll si në jetë, gjërat vazhdojnë dhe është e kotë të mendojmë për Bitrin, Skukën, Xhixhën… Nëse e pyetni të njëjtën gjë trajnerin e Tiranës, do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Nuk është më rasti të mendojmë për këta lojtarë të mirë që janë larguar”, tha Colella mes të tjerash.

Nga ana tjetër foli edhe trajeri i Tiranës, Orges Shehi. Tekniku kampion foli për objektivat dhe mungesat, teksa sipas tij derbi është derbi dhe të gjitha bien poshtë në një ndeshje të tillë. Sipas durrsakut, mobilizimi në një ndeshje të tillë vjen vetvetiu.

“Derbi vlen pikë, vlen moral, vlen prestigj. I ka të gjitha brenda. Derbi duke pasur këto që sapo thashë, renditja bie poshtë. Objektivat afatgjate bien poshtë. Duke pasur gjithë këto elemente që ka derbi brenda, duhet ta fitojmë duke pasur parasysh vetëm atë.

Përgatitjet? Derbi është derbi. Sigurisht që çdo skuadër kërkon të bëjë më të mirën, çdo skuadër kërkon të dalë triumfuese. Mendoj se është një ndeshje që duhet përgatitur me qetësi dhe me një gjendje emocionale jo mbi normale sepse ashtu na dëmton. Dihet vlerësimi që ka derbi. Për ne trajnerët është më e kollajtë për sa i përket mobilizimit, ndoshta dhe karikimit të skuadrës.

Mungesat? Vazhdon të vuajë mungesën e Abazajt për arsye dëmtimi, të tjerët pastaj janë të gatshëm. Nga ndeshja në ndeshje mund të ndryshojnë disa elementë. Mendoj që derbin kërkojnë ta shfrytëzojnë për të kthyer anën psikologjike dhe për të qenë një start për ndeshjet e mbetura.

Stadiumi? Partizani është pritës dhe çdo vendim i takon pritësve. Por duke pasur parasysh se çfarë komoditeti të jep “Air Albania”, është një avantazh që ndeshja të bëhej atje. Jo vetëm derbi, por edhe ndeshjet me rëndësi mendoj se duhet të bëhen atje. Është një ndeshje për t’u shijuar sa i përket njerëzve që vijnë në stadium. Në ndeshje të tilla duhet në një impiant modern”, tha Orges Shehi.

Këtë të hënë gjithçka nis në 13:00 me Laçi – Kukësi, teksa në 16:00 luhet Teuta – Vllaznia.

Shkëlqejnë 3 futbollistë të Kombëtares

Legjionarët më të vlerësuar të fundjavës

Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”