Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot një nga ngjarjet që shenjuan Shqipërinë postkomuniste, eksodin drejt Italisë.
Më 6 mars të vitit 1991, më shumë se 3,000 mijë shtetas lanë Shqipërinë dhe hipën në bordin e anijes “Tirana” për t’u nisur drejt fqinjit, përtej Adriatikut.
Me gremisjen e diktaturës, të motivuar nga liria e rifituar, bashkëatdhetarët u drejtuan në kërkim të botës së ëndërruar prej kuadrit të ekranit të televizorit, për të siguruar mirëqënien e munguar. Ikjet gjatë javës së parë të marsit të vitit 1991 qenë të përmasave tejet të mëdha, aq sa kjo ndodhi u konsiderua si analoge me eksodin biblik.
Gjithashtu, braktisja masive e vendit, mobilizoi elitën politike të kohës për të marrë masat e nevojshme për parandalimin e fluksit emigrator.
Në dokumentin që DPA ka publikuar, paraqiten fragmente të procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të zhvilluar nën drejtimin e kreut të këtij organi, Fatos Nano, më datë 06.03.1991 dhe me objekt shqyrtimi “situatën në portin e Durrësit”.