MENU
klinika

"Në zgjedhje do hyjnë të gjithë si 'Çeço'"

Rama në konferencë me kryeministren daneze, pyetet për gjyqin e vulës së PD-së

06.03.2023 - 14:07

Kryeministri Edi Rama ka folur në një konferencë të përbashkët me homologen daneze në lidhje me projektet e përbashkëta mes dy vendeve.

Rama tha se do të vijojnë bashkëpunimin për të kërkuar ndihmë për fusha dhe projekte të caktuara.

“Në gjithë procesin e integrimit njëra rrugë, ajo kryesore është rruga e Brukselit dhe ndërveprimi mes grupeve tona të punës dhe grupeve të caktuara në Bruksel. Dhe rruga tjetër është ajo e bashkëpunimeve bilaterale s ai përket dijes dhe marrjes së eksperiencës.

Danimarka është një nga vendet më të admiruara dhe më të admirueshme për shkak të dijes. Ne e kemi rrugën e hapur pranë qeverisë daneze për të kërkuar ndihmë për fusha të caktuara dhe projekte të caktuara”, tha Rama.

Ai u pyet edhe në lidhje me gjyqin për vulën e PD-së, por zgjodhi të mos bëjë komente. “Ju e dini mirë që nuk flas në prani të miqve që vijnë nga jashtë për problemet e politikës së brendshme”, deklaroi ai.

Ai tha se të gjitha partitë do të hyjnë në zgjedhje. “Mua nuk më rezulton se do ketë ndonjë parti që nuk do hyjë në zgjedhje. Të gjithë do hyjnë dhe do hyjnë si Çeço. Në zgjedhje nuk hyhet për njërin apo për tjetrin por për qytetarët. Do ishte vërtetë një mrekulli të ishim sot si Danimarka dhe të kishim gjithçka që ka Danimarka. Duhet të marrim në konsideratë që të bëjmë të gjithë hapat e nevojshëm sado të dhimbshëm të jenë”, deklaroi Rama.