Borusia e Dortmundit do të përballet sonte në mbrëmje me Çelsin në takimin e kthimit në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve. Verdhezinjtë kanë përjetuar një metamorfozë të plotë në vitin 2023.
Që pas mbylljes së kampionatit botëror dhe kthimit të skuadrave në fushë, Borusia është skuadra më e mirë në Europë. Faza përgatitore e zhvilluar në Marbeja (Spanjë) duket se i ka bërë mirë gjermanëve, me verdhezinjtë që kanë karikuar plotësisht bateritë e tyre dhe rezultatet i japin të drejtë.
Fitorja e arritur në fundjavë kundër Lajpcigut në Bundesligë (2-1) ishte e dhjeta radhazi në të gjithë kompeticionet.
Marshimi i verdhezinjve në vitin 2023 ka qenë mbresëlënës, teksa kanë kapur Bajernin në krye të Bundesligës, janë kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë dhe shkojnë sonte në “Stamford Bridge” me epërsinë 1-0 të arritur në Gjermani.
Por Borusia është edhe më shumë se kaq. Ndërsa deri dje varej nga Haland, me ikjen e norvegjezit drejt Sitit, tek verdhezinjtë shënojnë të gjithë. Janë plot 17 lojtarë të ndryshëm që kanë festuar.