MENU
klinika

Fiton dhe vendos rekord

Barcelona vuan shumë pa Levandovskin

07.03.2023 - 16:37

Ardhja e Levandovskit në Barcelonë ishte një gëzim për tifozët katalanas, të cilëve u kishte munguar një lojtar klasi pas largimit të Leo Mesit. Fryma e optimizmit u shtua dhe më tej duke parë se polaku u ambientua mjaft shpejt me Barçën a thua se kishte një jetë që ishte pjesë e klubit “Blaugrana”.

Fillimi i tij ishte spektakolar me një mesatare golash që ishte më shumë se një gol për ndeshje. Menjëherë në Barcelonë u nis të flitej për një varësi të skuadrës nga polaku.

Për këtë arsye, pati aq shumë frikë kur Gil Manzano e ndëshkoi me karton të kuq në takimin kundër Osasunës dhe më pas federata spanjolle e pezulloi me tri ndeshje për gjestin e tij në Pamplona.

Pavarësisht rëndësisë së sulmuesit dhe disa shifrave spektakolare që parashikonin më të keqen pa praninë e tij, në momentin e së vërtetës goditja nuk ishte aq e fortë.

EPISODI I PARË PA POLAKUN – Në ato tri ndeshje në La Liga në të cilat Leva mungoi për shkak pezullimi, Barça i fitoi të gjitha.

Vuajtjet kanë qenë të shumta, sepse në të tria ndeshjet skuadra e Ksavit fitoi minimalisht 1-0 përkatësisht kundër Atletikos së Madridit, Getafes dhe Gironës.

Dembele dhe Pedri në dy raste, ishin përgjegjës për shënimin e golave, që në teori duhej të ishin nga Leva.

HISTORIA – Leva do të mungonte edhe më tej, por pavarësisht kësaj, katalanasit kanë arritur dy fitore të tjera pa polakun në fushë, atë në Kupën e Mbretit kundër Realit dhe atë në Valencia të dielën e kaluar, po ashtu të fituara minimalisht 1-0.

Në të dyja rastet, “Blaugranat” vuajtën jashtëzakonisht shumë për të fituar. Por në fund e arritën. Ajo që dukej si një dramë kur thuhej se Levandovski nuk mund të luante, në praktikë nuk ka qenë aq shumë. 1-0 ose 0-1 është bërë e zakonshme këtë sezon te Barcelona deri në pikën e thyerjes së rekordit të të gjitha kohërave për fitore me minimumin në këtë Ligë: 8 në total. Dhe ka ende 14 javë përpara.