MENU
klinika

Mesi paralajmëron Bajernin

“Nuk ndalemi, bashkë me Mbapenë i përmbysim”

08.03.2023 - 14:21

Paris SG-ja gjendet sonte në mbrëmje përpara një misioni të vështirë: të shkojë të fitojë në Mynih për të siguruar një biletë për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Humbja në takimin e vajtjes në Paris 0-1 e detyron skuadrën e Galtiesë që të shkojë në Mynih me një objektiv të vetëm, përmbysjen e rezultatit.

Një mision tejet i vështirë, por jo i pamundur duke parë dhe yjet që ka në përbërje të saj Paris SG-ja. Ka qenë pikërisht Lionel Mesi, i cili ka paralajmëruar Bajernin para sfidës. Kampioni i botës me Argjentinën në Katar ka dhënë një intervistë të gjatë për televizionin e klubit “PSGTV”, ku ka nënvizuar se PSG-ja është në gjendje të fitojë në Mynih.

Leo, si do ta cilësonit këtë sezon për ju, nga nisja e shkëlqyer me Parisin te titulli kampion bote me Argjentinën… Si e keni përjetuar këtë periudhë?

Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, nuk është e lehtë për t’u shpjeguar me fjalë. Sepse në fund të ditës titulli botëror në Katar mbetet një ëndërr e bërë realitet, një ëndërr e ndarë me të gjithë popullin argjentinas. E kishim parashikuar se festimet në Argjentinë do të ishin të jashtëzakonshme, por ato tejkaluan dhe pritshmëritë tona më të çmendura. Kanë qenë momente që janë shkruar në memorien tonë dhe do të mbeten përjetë.

Një finale e luajtur kundër shokut tuaj të ekipit te PSGja, Kilië Mbape…

Ka qenë një finale mbresëlënëse. Ndeshja ishte një çmenduri për vetë mënyrën se si shkoi. Kilië shënoi tre gola në finalen e një Botërori, një çmenduri. E pavarësisht tre golave nuk arriti të fitonte. Për fatin e tij ai e ka fituar një Botëror dhe e kupton fare mirë se çfarë do të thotë kampion bote. Për mua është një kënaqësi që luaj së bashku me Leon në një skuadër te Parisi. Së bashku dëshiroj të bëjmë gjëra të mëdha për këtë klub.

Duke qëndruar te gjërat e mëdha… sapo keni fituar trofeun “Më i miri” për paraqitjen tuaj me Paris SG-në dhe Argjentinën. Në këtë sezon dukeni më i lirshëm dhe i lumtur apo?

Po është e vërtetë, ndihem shumë mirë. Në sezonin tim të parë në Paris shpenzova më shumë kohë për t’u përshtatur me klubin, skuadrën, qytetin, jetën në përgjithësi. Këtë sezon e kam nisur ndryshe, me më shumë dëshirë. Ndihem komod me të gjithë dhe e vërteta është se po argëtohem në këtë sezon. E gjithë jeta ime ka qenë e tillë. I përkushtuar ndaj punës, arritjeve, sukseseve dhe dëshirës për të fituar më shumë, ditë pas dite. Unë erdha te Parisi me objektiva të qarta, erdha për të fituar trofe të tjerë. Shpresojmë që t’ia dalim të realizojmë objektivat që kemi përcaktuar në fillimin e sezonit.

Pas sukseseve në kampionatin francez kundër Lilës, Marsejës dhe Nantës tani vjen më e bukura, përballja me Bajernin në Champions…

Mendoj se në ndeshjet e fundit në kampionatin francez kemi treguar shenja të dukshme përmirësimi. Fitoret e arritura së fundmi na kanë forcuar ndjeshëm dhe na kanë dhënë optimizëm përpara takimit në Ligën e Kampioneve kundër Bajernit. Ne do të bëjmë të pamundurën për të përmbysur rezultatin dhe kthyer gjithçka në favorin tonë. Është shumë e rëndësishme që të zbresim në fushë me frymën e duhur dhe mendësinë e duhur se mund t’ia dalim. Në Mynih nuk do të jetë shaka. Bajerni ka një skuadër mjaft të mirë dhe do ta kemi të vështirë. Unë mendoj se ndeshje të tilla vendosen nga detajet, sepse është gjithnjë shumë e vështirë të shkosh e të fitosh në Mynih. Së bashku me Mbapenë mund ta përmbysim Bajernin. I kemi të gjitha mundësitë për ta bërë. Objektivi ynë është të mos ndalemi në vrapin tonë në Ligën e Kampioneve në këtë sezon.

Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”

I ka bindur të gjithë përveç… Silvinjos

Milani bën gati ofertën për Kristian Shpendin