Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni ka ngritur shqetësimin për shtëpitë e barit që ngrihen nga grupet kriminale dhe kërkon nga komunitetet që të mos tregojnë indiferencë por të nisin sensibilizimin.
“Në 2021 janë 102 raste të kultivimit të bimëve narkotike. 191 raste në 2022. Më shumë rrënjë te mbjellura. Për 102 raste, 25% e tyre janë referuar në prokurori, 111 persona”, tha Angoni.
Ndërsa Ervin Hodaj, drejtor i DVP Shkodër u shpreh se shitja e dozave të drogës bëhet pranë ambienteve të shkollave ndaj e cilësoi të rëndësishme kontrollin e territorit.
“Kemi përcaktuar objektiva konkretë për goditjen e kultivimit të kanabisit. Do reagojmë fort në reduktimin e shitjeve të lëndëve narkotike. Kemi ndaluar 30 shpërndarës narkotikësh. Kultivuesit e shesin drogën në shkolla. Në 2022 janë proceduar penalisht 7 inspektorë të shërbimit pyjor, 19 punonjës të OSHEE. Problemi i kultivimit të kanabisit është përgjegjësi e përbashkët. Kapacitetet njerëzore të policisë janë në nivelin e duhur për të goditur fenomenin. Rezultatet e kanë treguar. Territori i vështirë i Dukagjinit dhe mos kontrolli i duhur nga institucionet e tjera bën që ky fenomen të jetë më i vështirë në këtë zonë”, tha Hodaj.
Takimi u zhvillua në zyrën e Prefektit, të Task Forcës Vendore Antikanabis, lidhur me realizimin e koordinimit dhe bashkëveprimit efektiv të veprimtarisë së institucioneve qendrore në nivel vendor dhe të këtyre institucioneve me njësitë e vetëqeverisjes vendore, për parandalimin, goditjen dhe shkatërrimin e kultivimit të kanabisit.