Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen është shprehur se unioni mbështet planin franko-gjerman dhe pret nga dy liderët e Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog në mënyrë konstruktive.
Pas takimit që ka pasur me presidentin Joe Biden, shefja e KE ka theksuar se edhe Brukseli edhe Washingtoni e përkrahin plotësisht procesin e negociatave.
E pyetur për propozimin franko-gjerman, politikania gjermane ka thënë se tashmë palët e kanë atë propozim në tavolinë bashkë me udhërrëfyesin e si duhet të implementohet.
“Propozimi është tashmë në tryezë dhe ka një udhërrëfyes se si të arrijmë atje. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive,” ka thënë Von der Leyen para gazetarëve.