Sot është mbajtur takimi urgjent i bordit të drejtorëve të skuadrës spanjolle, Real Madrid. Ka qenë Fiorentino Perez, presidenti i ‘Los Blanco’-s ai që ka thirrur takimin për të biseduar mbi akuzat e ngritura ndaj Barcelonës nga prokuroria e vendit.
Akuza që rëndon ndaj katalanasve është se ka paguar mbi 7 milionë euro për tre vite arbitrin Negreira për trukimin e rezultateve të ndeshjeve.
Los Blancos pas përfundimit të takimit kanë lëshuar një deklaratë zyrtare ku kanë shprehur shqetësimin e thellë për faktet e publikuara, derisa kanë deklaruar se kanë besimin e plotë në veprimin e drejtësisë.
Real Madridi ka konfirmuar se do të paraqitet në çështjen Negreira-Barcelona sapo gjyqtari të vendosë ta çojë çështjen përpara.
“Bordi i Drejtorëve të Real Madrid CF, në mbledhjen e mbajtur sot, mësoi për akuzat e rënda të Prokurorisë së Barcelonës ndaj FC Barcelona, dy presidentëve të saj, Josep María Bartomeu dhe Sandro Rosell dhe ish-drejtorëve Albert Soler dhe Óscar Grau, mbi bazën e krimeve të mundshme, ndër të tjera, të korrupsionit në fushën sportive, në kuadrin e marrëdhënieve të vendosura nga ky klub me ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, José María Enríquez Negreira”.
“Real Madrid shpreh shqetësimin e tij të thellë për seriozitetin e fakteve dhe rithekson besimin e tij të plotë në veprimin e drejtësisë dhe ka rënë dakord që, në mbrojtje të interesave të tij legjitime, do të paraqitet në procedurë sapo gjyqtari t’ua hapë palëve të dëmtuara”, thuhet në komunikatën zyrtare të Los Blancos.