MENU
klinika

Asnjë i arrestuar për aktin!

Dinamika/ Si u sulmua me eksploziv banesa e ish-kryeplakut

14.03.2023 - 11:08

Ende pa u bërë java e ngjarjes së ndodhur në Kurbin, qarku i Lezhës u trondit sërish nga një shpërthim me eksploziv.

Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të së hënës në fshatin Ungrej dhe objektiv i sulmit, ishte banesa e Preng Pjetrit ish-kryeplak dhe kryetar i Partisë Demokratike në këtë fshat. Në momentin e ngjarjes brenda shtëpisë kanë qenë kryefamiljari me bashkëshorten dhe nënën e tij, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale.

Lënda plasëse u vendos nga persona ende të paidentifikuar në verandën e shtëpisë 1-katëshe, ndërsa ende nuk dihet lloji dhe sasia e saj. Menjëherë pas sinjalizimit Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, duke kryer të gjitha veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në deklarimet e tij objektivi i sulmit Preng Pjetri ka deklaruar se nuk ka konflikte, por pista kryesore është përqendruar te konfliktet partiake që mund të kenë lindur në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit.

REAGIMI

Në lidhje me ngjarjen reaguan dhe deputetja Lindita Metaliaj dhe kandidati për Bashkinë Lezhë Pashk Gjoni, të cilët u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të identifikojnë dhe vënë para drejtësisë autoret e vendosjes së lëndës shpërthyese në banesën e kreut të PD në Ungrej.

Kryetarja e degës së PD-së në Lezhë ka reaguar për shpërthimin me tritol në banesën e funksionarit të PD-së, Preng Pjetri, duke thënë se dënojnë këto veprime, ndërsa thekson se akti dyshohet se erdhi prej hakmarrjes politike. Sipas saj, sasia e lëndës plasëse iu vendos pas takimit që pati me Sali Berishën.

“Një shpërthim me eksploziv rreth orës 2 pas mesnatës, ka dëmtuar keqas shtëpinë e Preng Ndue Pjetrit, kryetar i PD-së në fshatin Ungrej. Pjetri ka qenë në banesë me bashkëshorten dhe nënën e moshuar kur ka ndodhur shpërthimi. Akti terrorist i mesnatës të bën të dyshosh për pistën e hakmarrjes politike.

Takimi entuziast në Lezhë i kryetarit të PD-së, Sali Berisha në prezantimin e kandidatit për kryetar Bashkie Pashk Gjoni, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Seksionit Ungrej Pjetri, me shumë bashkëfshatarë, ka angazhuar me sulme verbale shumë patronazhistë e aktivistë të Rilindjes dhe të emëruarit 6 % në krye të Bashkisë Lezhë.

Dhuna verbale pasohet gjithmonë nga dhuna materiale. Ndërkohë që nuk duam të arrijmë në përfundime, i bëjmë thirrje policisë dhe strukturave ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre, të hetojnë dhe të çojnë pas hekurave si dorasët ashtu dhe porositësit e këtij akti terrorist. E dënojmë burracakërinë e vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e z. Pjetri, një akt kundër ligjeve të shtetit dhe Kanunit të maleve”, shkroi Metaliaj.