Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka sulmuar kryeministrin Albin Kurti duke thënë se është i etur për pushtet dhe ka kapur të gjithë institucionet e vendit. Sipas tij, Kurti ka bërë një transformim të madh vetëm se ka lakmi për të qenë i fuqishëm.
“Po na del ndër më të etshmit për pushtet, më i etshmi që ka ekzistua ndonjëherë. Nuk kemi parë ne ndonjëherë ndryshim kaq evolutiv të një pushtetari në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Pra nuk ka ndodhur ndonjëherë një transformim aq i madh sa ka ndodhur me Kurtin. Është e paimagjinueshme, Kurti opozitar me Kurtin në pushtet. Pra ky del që është lakmitar i madh në pushtet.
Pra del që e ka qëllim pushtetin dhe këtë e dëshmon me kapje të institucioneve. Krejt lidhjet e shkurtra që i ka krijue: borde, kompani, familjarë, militantë, deri te edhe për një ujësjellës, anëtarët e bordit i interviston Kurti. Pra, edhe për ujësjellësin se lëre më edhe për tjerat dhe dëshira me e kap çdo institucion shihet te ky”, ka deklaruar Haradinaj në Këndin e Debatit në Tëvë1.
Sipas Haradinajt, e gjithë kjo dëshirë për pushtet do t’i japë fundin si kreu i qeverisë së Kosovës.
“Ekziston një teori thonë: Zullumi këputet prej trashit. Këtij ka me ia hangër kryet kjo lakmia e madhe me kap shtetin dhe me e kapë pushtetin, sepse o kah e bon pa kritere, me keqpërdorime të jashtëzakonshme, pa bazë ligjore, o kah e bon me sjellje të ulëta.
Edhe kjo ka me i kështu te shumë profesionistë, te shumë njerëz kredibil kanë me e pa që nuk qenka fare kriter ekspertiza apo diçka po vetëm a je lidhje e shkurtër, a je militant, a je një prej atyre që këta s’kanë dyshime në ty me bo dallavere me ty dhe korrupsioni i Qeverisë Kurti është më i keq se i të gjitha qeverive më herët për shkak se nuk është fare korrupsion, është lidhje e shkurtër.
Pra ky i ka këput krejt mekanizmat kontrollues, balancues, ndërhyrës. Ky ka kriju një VV të vogël brenda vendimmarrjes lokale dhe kudo që është paraja, vendimmarrja, postet, ky ka krijuar një rrjet”, ka shtuar Haradinaj.