MENU
klinika

‘Topi’ në dorë të GJKKO nëse do kalojë Mediun për gjykim!

15 vite nga Gërdeci, askush në qeli! SPAK hetime, familjarët e viktimave ende shpresë për drejtësi!

15.03.2023 - 11:06

Ditën e sotme shënohen 15 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. 28 të pandehurit e dërguar në gjykatë sot janë liruar nga burgu dhe ende nuk është vënë drejtësi.

Por familjarët e viktimave kanë ende shpresën se drejtësia e re do të çojë pas hekurave përgjegjësit e një prej tragjedive më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë. Ka dritë në fund të tunelit për këto familjarë të cilëve ajo tragjedi u mori të dashurit e tyre. SPAK ka hapur çështjen dhe ka nisur hetimet për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”.

15 vite nga kjo tragjedi, Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha, duket se është përballë hetimit të ri, nga drejtësia e re. Ndërkohë që SPAK ka vendosur dërgimin për gjykim të Fatmir Mediut, aso kohe ministër i Mbrojtjes. Tashmë ‘topi’ është në dorën e GJKKO nëse do të pranojë të kalojë çështjen për gjykim, më 23 mars kur edhe është caktuar senaca. SPAK ka rifilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Deri më tani është marrë në pyetje ish-ministrin Aldo Bumçi, ish-ministri Fatmir Mediu dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

SPAK ka hapur çështjen dhe ka nisur hetimet, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit që ndodhi gjatë kohës që qeveriste Sali Berisha. Një sërë provash bëjnë përgjegjës  Sali Berishën dhe djalin e tij, Shkëlzenin, si edhe ish-ministrin Fatmir Mediun.

Ministrat e Berishës në krye të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi duket nga faktet se vepronin në diktimin e Shkëlzenit për të bërë letrat e biznesit me pasurinë publike, siç ishin municionet. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tablatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Gjithashtu, pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha.

Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenin përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaronte se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin.

Shkëlzen Berisha kishte lidhje të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me të gjithë personazhet që kanë realizuar aferën e Gërdecit. Kishte lidhje me Mihal Delijorgjin që kishte marrë përsipër përgatitjen e terrenit për demontimin e armëve në Gërdec, kishte lidhje përmes ‘vëllait’ të tij Rrahman Selmanllarin, me kompaninë amerikane SAC të Patrik Henrit që ishte kontraktuar për demontimin e armëve, si dhe del në përgjimet e Efraim Diverolit. Kompania  “AEY”, blinte municione kineze në Shqipëri dhe u vendoste etiketa të tjera, për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë.

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv, presidenti i kompanisë Amerikane “AEY” David Packouz tha se në takimin që u zhvillua në Tiranë mes Diverolit, Ylli Pinarit dhe Delijorgjit, ka qenë edhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Sipas tij, Diveroli zgjodhi të vinte vetë të negocionte çmimin, nga 4 dollarë në 2 dollarë copa.

Dëshmia e Diverolit për t’i dhënë ‘kapak’ hetimeve
Dëshmia e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Kalifornia, duket se do të jetë ‘asi nën mëngë’ i SPAK për t’i vënë një ‘kapak’ hetimeve për tragjedinë e Gërdecit e për të bërë më në fund drejtësi pas më shumë se 14 vitesh! Dëshmia e tij tashmë është në SPAK pasi është marrë me letërporosi dhe pritet të jetë kyç në zbardhjen e të vërtetës.  Diveroli, është ndër personazhet kryesore që i paraprijnë tragjedinë e Gërdecit, që përfitoi një kontratë të majme furnizimi armësh nga Pentagoni, në sajë të mbështetjes direkte nga qeveria Berisha, madje edhe lidhjes me Shkëlzen Berishën dhe bleu municione e fishekë nga Shqipëria për t’ua shitur amerikanëve në Irak e Afganistan.

Deri tani vetëm Fatmir Mediu i pandehur
Fatmir Mediut iu komunikua zyrtarisht akuza për ‘Shpërdorim detyre’ nga Prokuroria e Posaçme për tragjedinë e Gërdecit. Si person i marrë zyrtarisht i pandehur, Mediu është marrë në pyetje për 60 minuta. Në daljen e tij për mediat, Mediu tha se SPAK nuk kishte asnjë provë shtesë dhe se akuzë është e motivuar politikisht. Mediu tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me firmën amerikane që merrej me demontimin, teksa sfidoi duke thënë se “Nëse gjejnë një kontakt timin përtej detyrës si ministër mbaj përgjegjësi maksimale”. Ish-ministri i i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Çfarë ndodhi në 15 mars?
15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji. Sot 15 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"I thashë prokurorëve që nuk kam asnjë lidhje"

“A ndiheni i rrezikuar”? Shkëlzen Berisha del nga dyert e SPAK

Nga “burgosja” e gjyqtares tek “Plumbi i Artë” i vrasësve me pagesë

PROFIL/ Kush është kreu i ri i SPAK, dosjet e bujshme të Altin Dumanit

“Kallëzime penale për kryetarë bashkie”

Hoxha: Leli mund të jetë një nga “shënjestrat” e Ramës


Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”