Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka shpërndarë Parlamentin më 16 mars dhe sipas Kushtetutës, ai tani duhet që deri më 17 mars të njoftojë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Vendimi për shpërndarjen e Parlamentit vjen tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, në të cilat garon edhe Gjukanoviqi.
Sipas njoftimit të Presidencës, dekreti për shpërndarjen e Parlamentit të Malit të Zi u nënshkrua në bazë të nenit 92, pika 3 e Kushtetutës së Malit të Zi.
Qeveria aktuale e Dritan Abazoviqit para shtatë muajsh u rrëzua nga një mocion mosbesimi. Ekzekutivi u rrëzua pasi Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe në gusht të vitit 2022.
Sot, 90 ditë pasi janë miratuar ndryshimet në Ligjin për president, në bazë të të cilave Miograd Llekiq u propozua për mandatar të Qeverisë, ky legjislacion u botua në Gazetën Zyrtare.
Llekiq dështoi të siguronte mbështetjen e 41 nga 81 deputetët e Parlamentit dhe të formonte Qeverinë e re brenda afatit të caktuar prej 90 ditësh.
Gjukanoviq kishte thënë se ndryshimet në Ligjin për president ishin kundërthënëse dhe këshilltarët e tij ligjorë e dërguan atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.
Ligji u ndryshua në dhjetor nga shumica parlamentare që përbëhet nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe Lëvizja URA.
Përmes ndryshimeve ligjore, shumica parlamentare mori autoritetin kushtetues të presidentit të shtetit, pasi Gjukanoviq, për arsye formale, refuzoi që të mandatonte Llekiqin për formimin e Qeverisë së re.
Partnerët ndërkombëtarë, veçmas Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos tentojë të krijojë Qeverinë e re bazuar në ligjin e ndryshuar, duke argumentuar se do të vihej në pikëpyetje legjitimiteti i ekzekutivit. Ata këtë mendim e bazuan edhe në opinionin negativ që dha Komisioni i Venencias sa i përket ndryshimeve në Ligjin për president.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020.
Zgjedhjet e reja që do të shpallen do të jenë të gjashtat që Mali i Zi ka mbajtur që nga pavarësia më 2006. /REL