MENU
klinika

Cënoi besimin e publikut te drejtësia

Zbardhet vendimi i vettingut për prokurorin Saimir Bahiti

18.03.2023 - 09:50

Prokurori i Shkodrës, Saimir Bahiti u shkarkua nga detyra më 13 janar 2023 prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,  pasi në vlerësimin tërësor të çështjes u konkludua se me veprimet dhe mosveprimet e tij se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Vendimi u dha nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Ai u bazua edhe në opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, për disa gjetje, ku është theksuar se etika e magjistratit nuk zbatohet vetëm në përmbushjen e detyrave, por përfshin edhe sjelljen në jetën private dhe aktivitetet jashtëgjyqësore.

Saimir Bahiti përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe e kreu stazhin profesional në Prokurorinë e Kurbinit. Ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Shkodrës prej nëntorit të vitit 2008, deri kur u transferua përkohësisht në Gjirokastër. Në vitin 2021 ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Durrës, ku e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.

Bahiti arriti të përmbysë pjesën më të madhe të balancës negative të konstatuar në vitin 2012 gjatë hetimit paraprak, kur në analizën për blerjen e një apartamenti po atë vit, veç vlerës 104 mijë euro të paguar cash, u konsiderua si shpenzim dhe shuma prej 21 mijë e 493 euro sipas një mandat-arkëtimi në një bankë me përshkrimin e pagesës së një pjese të çmimit të banesës.

Por, pasi subjekti kundërshtoi me dokumentacion provues se në momentin e përpilimit të mandat pagesës ka qenë në gjyqe të njëpasnjëshme në Gjykatën e Shkodrës, si dhe sipas një akt-ekspertimi ka rezultuar se mandati nuk ishte nënshkruar prej tij, Komisioni është bindur se vlera e apartamentit është paguar cash, duke e hequr këtë shumë nga shpenzimet. Për këtë çështje është kryer edhe kallëzim penal për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre” nga ana e bashkëshortes së subjektit.

Po ashtu, është konfirmuar se ka qenë praktikë e ndjekur nga shoqëria ndërtuese që në interes të shitjeve të sa më shumë pasurive, çmimi i blerjes është likuiduar cash nga blerësit, ndërsa derdhjet në bankë bëheshin nga punonjës të shoqërisë.

Në përfundim, pas konsiderimit të provave dhe shpjegimeve të subjektit, balanca negative në vlerën 3.7 milionë lekë e konstatuar vetëm në vitin 2012 kur është blerë apartamenti, është reduktuar në shumën 736 mijë lekë, pas rishikimit të analizës financiare. Kjo balancë negative nuk është konsideruar si penalizuese në vlerësimin e kriterit pasuror.

Megjithëse KPK ka arritur në përfundimin se gjetjet për figurën nuk mund të sjellin papaërshtatshmëri, ato janë konsideruar në vlerësimin tërësor të çështjes.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Bahiti. Pasi KPK i ka kërkuar përditësimin e informacionit, DSIK ka përcjellë një raport të dytë ku referoheshin të dhëna për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të subjektit. Sipas DSIK-së, kishte informacione për veprime korruptive të shfaqura në formën e shpërdorimit të detyrës, me qëllim dhënien e vendimeve për pushimin e hetimeve në favor të një pale, si dhe kontakte të papërshtatshme, jorastësore, me persona të përfshirë në afera korruptive, pjesë e të cilave është edhe vetë subjekti. DSIK ka ndryshuar qëndrim duke konstatuar papërshtashmëri për vijimin e detyrës.

Bahiti e ka cilësuar raportin e dytë joserioz, të pabazuar dhe jo të drejtë. Ai ka theksuar se në këtë raport refrohen të dhëna për kohën përpara se të dilte raporti i parë i të njëjtit institucion. Subjekti ka pretenduar se mungesa e provave në këtë raport e bënë të pamundur mbrojtjen e tij dhe kjo cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

KPK sqaron se ka kryer hetime për çdo informacion, duke administruar dhe dosjet penale të trajtimit të disa çështjeve penale nga ana e subjektit të rivlerësimit, por që janë trajtuar në kriterin profesional.

Në vlerësimin përfundimtar për kriterin e pastërtisë së figurës, Komisioni çmon se nuk mund të arrihet në konkluzionin se prokurori Bahiti është i papërshtatshëm. Por, nisur nga fakti se prej analizës në trajtimin e disa çështjeve penale për të cilat ka pasur informacione konfidenciale, janë evidentuar disa probleme gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e subjektit, mangësitë e konstatura janë marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor.

Nga hetimi profesionalizmit, ka rezultuar se prokurori Bahiti ka udhëtuar në vitin 2013 me shtetasin P.M., që e kishte pasur nën hetim më parë. Subjekti është ndalur gjatë në mungesën e një konflikti interesi me shtetasin P. M. gjatë trajtimit të kësaj çështjeje, pretendim i cili ishte ngritur në një denoncim që është verifikuar nga KPK.

Në përfundim të hetimit administrativ, referuar mungesës së të dhënave për njohje të subjektit me këtë shtetas në vitet 2010 dhe 2011 kur është trajtuar çështja penale, Komisioni nuk kishte ngritur dyshime dhe as i ka kaluar barrë prove në lidhje me këtë fakt.

Ndërsa pretendimet se nuk e kujton dhe nuk e ka njohur shtetasin P.M. dhe se takimi me të ka qenë i rastësishtëm së bashku me një koleg në ditën e udhëtimit, janë vlerësuar të pabesueshme dhe përpjekje për të justifikuar udhëtimin me një person të proceduar penalisht prej tij.

KPK vëren se udhëtimi në shkurt të 2013-ës është kryer me mjetin në pronësi të oficerit të Policisë Gjyqësore S.P., që i ka marrë deklarimet shtetasit P.M. në korrik të vitit 2011. Vetë shtetasi S.P. në deklaratën noteriale të paraqitur nga subjekti në parashtrime ka deklaruar se ka pasur njohje me P.M., pasi jetojnë në të njëjtën zonë, si dhe për shkak se ka kryer veprime hetimore në çështjen penale që është pushuar, shumë kohë përpara se të ndodhte udhëtimi.

Në vlerësimin e saj, KPK mban në konsideratë edhe orientimin e vëzhguesit ndërkombëtar, sipas të cilit, etika nuk zbatohet vetëm në përmbushjen e detyrave të gjyqtarit apo prokurorit, por ajo përfshin edhe sjelljen në jetën private dhe aktivitetet jashtëgjyqësore.

Udhëtimi i prokurorit Bahiti me shtetasin P. M., i cili ishte marrë si i pandehur nga vetë subjekti rreth një vit e gjysmë më parë, si edhe disa probleme procedurale të konstatuara në vendimarrje, vlerësohen prej Komisionit si “cenim i etikës së prokurorit dhe besimit të publikut te subjekti si pjesë e sistemit të drejtësisë”.

Subjekti është penalizuar për etikën edhe lidhur me marrjen hua të një vlere 50 mijë euro nga administratori i një shoqërie për blerjen e apartamentit, ku sipas një denoncimi është vepruar në kushtet e konfliktit të interesit. Bahiti e ka cilësuar të pabazuar pretendimin e denoncuesit, duke theksuar se në kuadër të një procedimi penal të drejtuar prej tij nuk janë kryer veprime hetimore në ngarkim të shoqërisë që ka për administrator huadhënësin.

Komisioni në kalimin e barrës së provës është fokusuar vetëm në konstatimin se subjekti ka treguar mungesë të etikës profesionale, për shkak të marrjes hua pa interes në vlerën 50 mijë euro nga shtetasi P.G. jë vit pasi e kishte njohur. Megjithëse subjekti nuk ka kryer hetime në ngarkim të kësaj shoqërie, ka rezultuar se në kuadër të një procedimi penal, ka administruar një numër të konsiderueshëm dokumentesh shkresore që kanë pasur lidhje me këtë shoqëri. Nisur nga këto të dhëna, Komisioni e vlerëson marrdhënien e huamarrjes si një pengesë potenciale të subjektit për të ushtruar detyrën e prokurorit me integritet dhe i pavarur ndaj çdo ndikimi dhe presioni te jashtëm.

Për rrjedhojë huamarrja është konsideruar si sjellje që vjen në në kundërshtim me etikën e prokurorit dhe që cenon integritetin e tij.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka vendosur katër herë pushimin e një procedimi penal pa administruar provat e përfituara nga veprimet hetimore të kërkuara për t’u kryer nga autoritetet gjyqësore të huaja.

Megjithëse Komisioni e çmon të vërtetë faktin se subjekti në cilësinë e prokurorit në vendimmarrjet e tij vlerëson provat dhe faktet bazuar në bindjen e tij të brendshme, për rastin konkret konstaton se Bahiti nuk ka kryer një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes me qëllim zbardhjen e rrethanave. Ky fakt është gjetur në harmoni me informacionet konfidenciale nga organet ligjzbatuese në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, konstatohet se mospritja e përgjigjeve nga autoritetet e huaja kërkuar me letërporosi është një rast i përsëritur nga subjekti. Bazuar në këto konstatime, mosveprimet e Bahitit në funksion të hetimeve sa më të plota për çështjen në fjalë, janë marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor të aftësive profesionale të tij.

Në opinionin e tij për këtë çështje, ONM ka parashtruar disa gjetje në lidhje me etikën e subjektit të rivlerësimit, duke sjellë në vëmendje të Komisionit parimet e Bangalorit apo jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi sjelljen gjyqësore. Sipas këtyre parimeve, etika nuk zbatohet vetëm në përmbushjen e detyrave të gjyqësorit dhe prokurorisë, por se ato përfshijnë gjithashtu sjelljen në jetën private dhe aktivitetet jashtëgjyqësore. Sipas ONM-së, gjyqtarët dhe prokurorët, përveç respektimit të ligjit si çdo person tjetër, duhet të sillen me integritet, ndershmëri, vetëpërmbajte dhe diskrecion, si gjatë, edhe jashtë ushtrimit të detyrës.

Komisioni vëren se në procesin e vlerësimit përfundimtar të çështjes, për një vlerësim sa më objektiv të aftësive profesionale, por edhe një vlerësim tërësor të çështjes, i’u është referuar veprimeve dhe mosveprimeve të prokurorit Bahiti.

Konkretisht për dy raste nga pesë dosjet e shortuara ku janë evidentuar mangësi në drejtim të administrimit të akteve në dosjen penale; në një rast, kur urdhrat për zgjatjen e afatit të hetimeve kanë qenë të pajustifikuara në raport me kushtet e parashikuara pasi në to nuk parashikohen veprimet hetimore konkrete që nevojitet të kryhen; si dhe ka mungesë veprimesh hetimore në afatin e shtyrë.

Në dy raste ka rezultuar se subjekti nuk ka kryer hetime të plota e të gjithanshme që do të hidhnin dritë mbi faktet e rrethanat e çështjeve me objekt hetimi për transaksione të dyshimta në shuma monetare të konsiderueshme.

Në vlerësimin përfundimtar të aftësive profesionale, KPK vlerëson se mangësitë e evidentuara dhe sjelljet e papërshtatshme nuk mund të korrigjohen përmes programit njëvjeçar të edukimit në Shkollën e Magjistraturës.

Pavarësisht se mangësitë procedurale të evidentuara nuk janë vlerësuar të tilla që subjekti të vlerësohet “i papërshtatshëm”, këto mangësi të gërshetuara me rastet e cenimit të etikës nga ana e tij, çmohen prej Komisionit se se kanë çuar në cenimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe për rrjedhojë është vendosur shkarkimi nga detyra. /Birn

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e sotme

KLP cakton dy drejtues të rinj të Prokurorive në Tiranë dhe Durrës