MENU
klinika

"Vuçiç nuk firmosi megjithëse Kurti pranoi asociacionin"

Berisha sulmon paktin e Ohrit: Një marrëveshje sui generis!

19.03.2023 - 22:23

Sali Berisha, ka dhënë një tjetër mesazh për takimin ndërmiet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit, pas qëndrimit të parë, që kërkoi të mos firmoset.

Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se ajo marrëveshje që është arritur atje, në fakt nuk është marrëveshje. Kreu i Foltores shton se Vuçiç nuk ka firmosur asgjë pasi kishte urdhër nga Kremlini të mos firmosë planin franko-gjerman që e detyron atë të zbatojë sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Postimi i plote:

Ohri një marrëveshje sui generis! Apo pa marrëveshje.
Vuçiç nuk firmosi megjithëse Kurti pranoi asociacionin!
Miq, takimi shumë orësh i Ohrit perfundoi me ‘sukses’, por marrëveshja nuk u firmos sepse atë nuk e firmosi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në takimin e parafundit në Bruksel ai la të kuptohej se nuk firmosi mbasi kryeministri Kurti nuk pranoi të diskutonte për asociacionin. Kurse në takimin e Ohrit kryeministri Kurti pranoi të diskutojë për asociacionin dhe njëllojë si në Bruksel ishte i gatshëm të firmoste marrëveshjen franko-gjermane.
Në perfundim Vuçiç deklaroi se nuk kam firmosur asgjë dhe se ai nuk firmos marrëveshje ndërkombëtare juridike me Kosovën. Por nuk tha se Kurti nuk pranoi të diskutojë për asociacionin dhe shpjegoi pse nuk firmosi, sepse sipas tij Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombtarisht pa çka se atë e kanë njohur 95% e vendeve të lira të botës.
Ai gjithashtu tha se ra dakord për disa pika, por nuk tha se për cilat pika nuk ra dakord. Pra ai tregon se edhe marrëveshjen franko-gjermane e trajton si shportë në të cilën mund të blejë vetëm ato që do ai. Në të vërtetë ai nuk firmosi sepse kishte urdhër nga Kremlini të mos firmosë planin franko-gjerman që e detyron atë të zbatojë sanksionet e BE ndaj Rusisë. Ai nuk është dakord që vendi i tij të dalë nga ombrella ruse dhe të shndërrohet nga Rusi e Vogël në Ballkan në Serbi Europiane. Vuçiç nuk ndjek interesat e kombit serb, por ndjek ato të ultranacionalizmit primitiv konfliktual serb.
Pra në Oher nuk pati marrëveshje të firmosur sepse presidenti i serbomadhisë Aleksandër Vuçiç nuk firmosi ndonëse marrëveshja si çdo marrëveshje tjetër për të qënë ligjerisht detyruese, duhej firmosur. Ideja se monitorimi nga BE i zbatimit të marveshjes së dakortësuar, gjatë pocesit të negociatave për anëtarësim të BE e bënë atë një marrëveshje sui generis e cila de facto as de jure nuk mund të zëvendësojë një marrëveshje të firmosur detyruese bilaterale.
Ky qëndrim i z. Vuçiç dëshmon se ai sa të jetë në pushtet nuk do firmosë ndonjëherë marrëveshje me Kosovën. Marrëveshja Kosovë-Serbi është e një rëndësie parësore jo vetëm per dy vendet, por dhe rajonin madje dhe Europën. Ndaj dhe mendojë se në vend që të quhet dhe pranohet si marrëveshje një dokument i pafirmosur pala që refuzon firmën duhet të përballet me pasojat e paralajmëruara nga BE dhe SHBA për ata që refuzojnë ta firmosin atë. Në të kundërt zvarritja do jetë e gjatë dhe me kosto të lartë.