Ish shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker e ka konsideruar si një gabim të madh dakordësimin nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zbatimin e propozimit evropian në takimin në Ohër, e cila synon një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në një intervistë për mediumin ‘Insajderi’ ai është shprehur se pranimi i zbatimit të nenit 7 ku komunitetit serb i sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes ku përfshihet edhe asosacioni është një vendim i gabuar nga ana e Kosovës. Ndër të tjera ai është kritik ndaj komunitetit ndërkombëtar që e shtyn çështjen e Asociacionit.
“Kjo çështja e Asociacionit të komunitetit serb ose diçka e ngjashme për mua është njëfarë prishëse e marrëveshjes (deal-breaker). Do të isha tejet kritik nëse Kosova e nënshkruan atë. Mendoj se kjo është gabim i madh. Edhe për BE-në që e shtynë e para këtë. Për mua është diçka që ska kurrfarë kuptimi, që të jepen të drejta edhe më speciale një komuniteti pakicë, e cila tashmë edhe ka më shumë se një hise në të drejtat e pakicave, më shumë se në cilindo vend në Evropë që unë e di, e gati edhe në botë”, tha William.
I pyetur se a kishte zgjidhje tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasi kjo është njëra nga kërkesat më strikte amerikane, ëalker përsëri konsideron se është gabim të shtyhet kjo çështje para.
“Unë s’kam pasur rastin të flas me Escobarin ose me dikë nga qeveria amerikane rreth kësaj, nuk e di se çfarë ka prapa saj, që të jenë në favor të kësaj, sepse siç thash, unë personalisht këtë e shoh si gabim të përfshihet diçka e tillë. Por, e di që po shtyhet para, ndaj Kosovës, ndaj qeverisë së Kurtit, që të pranojnë këtë, dhe po them se do të ishte gabim që të bënte këtë. Nuk jam i sigurt që e kuptoj Albini kur thotë se unë e nënshkruaj kështu siç është, ose dëshiron që ta nënshkruajë. Nëse aty nuk ka njohje, unë e shoh gabim që ai ta nënshkruaj”, tha ish-ambasadori.
Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dy dy palët në momentin e publikimit. Përfaqësuesi i Lartë i unionit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë firmosur dokumentin.