Pavarësisht vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor nuk tërhiqet nga vendimi i saj për rritjen e çmimit të lejeve të drejtimit.
Kreu i kësaj drejtorie Blendi Gonxhja tha në A2 CNN se 100 deri ne 200 euro më shumë janë të domosdoshme për një test të plotë e jo fiktiv.
“Nuk jemi tërhequr, me Autoritet, pa Autoritet ajo do të eci para. Nuk diskutohet që jo vetëm që nuk rrezikon konkurrencën kjo që po bëjmë ne në mënyrë të pariparueshme, por në mënyrë të pariparueshme rrezikohej konkurrenca nga ajo që nuk po bënte autoriteti dhe autoritetet e tjera që nuk kanë punuar në vite për të mbrojtur konkurrencën e ndershme. Nuk mund të ulim kokën në rërë si struci e të themi që jemi të varfër, ndërkohë që ne jemi shumë të pasur, paguam 403 milionë dollarë. Po kur vjen puna nuk duam ta bëjmë 100-200 euro më shumë atë testin e ta bëjmë të plotë, të mos jetë fiktiv. Pra, dua të them që ne nuk i ikim dot kësaj pune. Kjo punë kërkon edukatë, kërkon kulturë”, tha Gonxhja.
Ecja me shpejtësi marramendëse në rrugë, duke u bërë burim aksidentesh të rënda, Gonxhja tha se është pjesë e një përgjegjësie sociale që mungon dhe edukimi në kuadër të politikave parandaluese duhet të nisë që nga shkolla. Ndërkohë ai i mëshoi fort zbatimit të sistemit bonus malus në në siguracionin e përvitshëm të mjeteve.
“Bota punon shumë afër komponentit tjetër, të katërtit. Pra, nëse është edukimi, mjetet, drejtuesit e mjeteve, komponenti i katërt i rëndësishëm, shtylla kryesore tjetër është siguracionet. Siguracionet e jashtme, bonus maluset e tyre me incentivat që i japin shoferëve të mirë, me penalizimin në kosto dhe në çmime të larta në ngarkim me vlera financiare të larta të atyre që kanë bërë shumë aksidente, pra atyre që kanë këmbën e rëndë, siguracionet i këpusin në mes”, tha ai.
Përsa i përket ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, Gonxhja tha se ato sjellin një kursim prej 8.8 milionë eurosh në vit.