Të nderuar veteranë të Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare, luftës më të madhe e më heroike në historinë e popullit shqiptar!
Me kalimin e viteve numri juaj është pakësuar. Mijëra prej jush nuk janë më. Im atë, Sevo Tarifa, u nda edhe ai nga jeta pak javë më parë. Si djali i tij, një veterani të asaj Lufte të Madhe, që luftoi me armë në dorë kur ishte 16 vjeç, si partizan në Brigadën VI Sulmuese, kundër pushtuesve nazistë, dhe si nipi i një tjetër veterani të asaj lufte, gjyshit tim nga nëna, e ndjej të nevojshme dhe një detyrë qytetare t’ju drejtohem sot me këtë thirrje të hapur.
Ju, të dashur veteranë, keni mbetur vërtet pak, por meritat tuaja dhe vlerësimi im për ju, si pasardhës i dy veteranëve, janë sot edhe më të mëdha. Unë besoj se njëlloj i çmojnë sakrificat dhe meritat tuaja të pamohueshme dhe po këtë vlerësim kanë për ju ata dhjetra apo qindra mijë pasardhës të veteranëve të asaj Lufte, të cilët, edhe pse mund t’i kenë humbur prindërit e tyre, ruajnë të gjallë e të shtrenjtë kujtimin e tyre dhe ndihen të nderuar për patriotizmin dhe vlerat antifashiste të tyre.
Antifashizmi juaj dhe i prindërve tanë është medalja më e çmuar në biografinë e jetës suaj dhe më i çmuari kujtim dhe amanet që ne, pasardhësit e veteranëve, ruajmë prej tyre dhe do u lëmë trashëgim fëmijëve tanë dhe ata fëmijëve të tyre.
Im atë i konsideronte veteranët “heronj të gjallë” të asaj Lufte të Madhe. Që ju i shpëtuat vdekjes në atë luftë ishte jo vetëm fati i juaj, por edhe fati ynë, që ju na sollët në jetë pas Çlirimit të vendit. Jetët tona dhe fatet e shumë prej nesh janë të lidhura me ju, me përpjekjet dhe sakrificat tuaja të panumërta. Mirënjohja jonë nuk do ju mungojë kurrë.
Të nderuar Pasardhës të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare. Unë jam një ndër ju, një si ju. Ashtu si vëllai dhe motrat e mia, dhe ashtu si shumë shokë e miq të mi, unë jam një pasardhës veterani. Ky cilësim më bën të ndihem krenar. Unë jam një antifashist. Të tillë më kanë rritur dhe edukuar prindërit e mi dhe prindërit e tyre, të tillë më kanë formuar studimet që kam kryer dhe mësimet e historisë, të tillë më bëjnë edhe rrethanat në të cilat zhvillohet bota sot.
Gjyshi im nga babai, Jano Tarifa, një patriot i nderuar gjatë kohës së mërgimit në Argjentinë, u burgos në atë vend nga regjimi fashist i Peronit. Im atë, një debatikas, u angazhua në veprimtari antifashiste kundër pushtuesve italianë qysh 14 vjeç dhe luftoi me armë në dorë, si partizan, kundër nazistëve.
Unë vet besoj se, edhe nëse sot nuk shohim ndonjë lëvizje masive fashiste të tipit “klasik” (skuadra paraushtarake që lëvizin rrugëve dhe terrorizojnë qytetarët), në shumë vende kemi parë të vijnë në pushtet liderë autoritaristë dhe ky rikthim i autoritarizmit, shoqërohet me një rritje të dukshme të ekstremit të djathtë. “Forca raciste dhe ksenofobe”, shkruante para se të ndahej nga jeta Madeleine Albright, në librin e saj Fashizmi: Një paralajmërim (2018), “po shfaqen kudo—në kampuse universitare, në administratën shtetërore—pikërisht atje ku nuk e prisnim kurrë se mund t’i shihnim”.
Në Gjermani, partia populiste e ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), është një parti neonaziste, si dhe PEGIDA, një organizatë e “Europianëve patriotë”. Në Greqi vepron “Agimi i Artë”, një ndër organizatat politike më të dhunshme. Në Francë, “Fronti Kombëtar”; në Britaninë e Madhe, “Britain First” (Britania e para), është një parti ultranacionaliste, ndërsa në Itali, disa grupe neo-fashiste i referohen gjithnjë e më hapur eksperiencës së Musolinit. Në Suedi, “Lëvizja Nordike e Rezistencës”, një grup fashist, ka krijuar degë në të gjithë Europën, ndërsa në Danimarkë, një parti politike ultranacionaliste ka marrë shumë vende në parlament. Në Norvegji është krijuar e vepron “Liga për Mbrojtjen e Norvegjezëve” nga emigrantët; në Sllovaki veprojnë grupe nacionalistësh ultra të djathtë, ndërsa në Hungari, “Lëvizja Rinore e 64 qarqeve”, një organizatë antisemitiste, ultranacionaliste i konsideron hebrenjtë si rrezik për sigurinë kombëtare!
Janë shumë! Dhe të mendosh se parti e organizata të tilla janë krijuar e veprojnë në kushtet e demokracisë dhe në disa prej vendeve më demokratike të Europës! Por, a nuk ishin Italia dhe Gjermania demokraci liberale para se në këto vende të lindte e të vinte në fuqi fashizmi? Dhe pastaj fashizmi i sotëm rus. Të gjithë e shohim se çpo bëjnë fashistët rusë në Ukrainë.
Të nderuar veteranë të Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare dhe pasardhës të veteranëve të asaj lufte. Ju nuk keni nevojë t’i dëgjoni të gjitha këto nga unë. Unë jam i bindur se antifashizmi, si ndjenjë, si vlerë, si filozofi, është i rrënjosur thellë te ju. Ne jemi ushqyer me këtë ndjenjë, me këtë vlerë dhe me këtë filozofi. Unë i përmend të gjitha këto për të sjellë në vëmendjen tuaj një çështje shumë të rëndësishme, që duket se është bërë emergjente kohët e fundit.
Qysh nga viti 1957, pra për 66 vite radhazi, ju, veteranë të nderuar—dhe sot edhe ne, pasardhësit tuaj krenarë—kemi organizatën tonë” Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe Pasardhësve të tyre, e shpallur nga kreu i Republikës sonë “Nderi i Kombit”.
Deri më sot, këtë organizatë e kanë drejtuar personalitete të nderuara. Sot, drejtimi i saj rrezikon të bjerë në duar që jo vetëm nuk meritojnë të jenë në krye të saj, por edhe mund të bëhen shkaktarë për përçarjen, madje edhe për asgjësimin e saj.
Kjo organizatë ka mbetur sot pa një kryetar. I fundit kryetar i zgjedhur i saj, i ndjeri Odise Porodini, u nda nga jeta disa muaj më parë. Me shumicën e votave të anëtarëve të saj, Kryesia e kësaj organizate miratoi ngritjen e një Komisioni të pavarur, të cilit iu kërkua të sugjeronte kriteret meritokratike që duhet të plotësojnë të gjitha ata kandidatë, që dëshirojnë të votohen për t’u zgjedhur në detyrën e kryetarit.
Në cilësinë e një akademiku—si një profesor i shkencave sociale dhe i marëdhënieve nderkombetare—dhe si pasaardhës i dy veteranëve të LANÇ, e pranova me kënaqësi ftesën që më bënë për të qenë edhe unë një ndër anëtarët e këtij komisioni. Po kështu vepruan edhe kolegët dhe miqtë e mi të nderuar, Prof. Ksenofon Krisafi, Prof. Pëllumb Xhufi, Dr. Dorian Koçi, avokat Spartak Braho dhe zonjat e nderuara Drita Shehi dhe Liljana Konomi.
Ngritja e këtij komisioni e shqetësoi pa masë sekretarin e përgjithshëm të kësaj organizate, Veli Myftari, i cili, me pretendimin absurd se kryetari i dikurshëm Odise Porodini e kishte lënë me “testament” që, pas vdekjes së tij, vendin e tij në krye të organizatës ta zinte Myftari, sikur kjo organizatë kombëtare të ishte një pronë private, nisi një fushatë të turpshme dezinformimi dhe de facto e ka uzurpuar postin drejtues të organizatës, pa u zgjedhur në krye të saj.
Mos u habisni, të nderuar veteranë dhe pasardhës të veteranëve. Ky individ, jo vetëm nuk pranoi që t’i publikonte në gazetën Kushtrim Brezash, që është gazeta e kësaj organizate dhe mbahet me fondet e organizatës, por edhe shpalli se nuk i njeh këtë Komision (të krijuar me miratimin e shumicës së anëtarëve të kryesisë) dhe kriteret e propozuara prej tij.
Kjo nuk është e gjitha. Dy ditë më parë, Veri Myftari u përpoq të mblidhte kryesinë e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ dhe Pasardhësve të tyre, si dhe kryetarët e degëve të këtij komiteti në rrethe për të realizuar de facto puçin e orkestruar prej tij. Por dështoi, sepse në atë takim, në të cilin nuk ishin ftuar tre nga katër nënkryetarët e kryesisë ekzekutive të organizatës dhe në të cilin nënkryetari i katërt, nën presionin e situatës së krijuar, dha dorëheqjen, në atë takim, pra, morën pjesë një numër shumë i vogël anëtarësh të kryesisë, që nuk formonte kuorumin për të legjitimuar çfarëdo vendimi që mund të merrej.
Krejt paturpësisht, sidoqoftë, Veli Myftari, ky njeri që në kundërshtim të plotë me statutin dhe rregulloren e organizatës ka uzurpuar drejtimin e saj, gënjeu sot në mënyrë publike, përmes një deklarate, sipas së cilës, në atë mbledhje morën pjesë “drejtuesit e komiteteve të veteranëve të LANÇ pranë bashkive të vendit dhe vendosi… pak rëndësi ka, përderisa gjithçka është një fabrikim i shëmtuar i një të vërtete që është krejt ndryshe.
I vetëm nga kryesia ekzekutive e organizatës, pa asnjërin prej të katër nënkryetarëve të saj, të cilët, në fakt, janë kolegjialisht drejtuesit kryesorë të kësaj organizate, Veli Myftari, i mbështetur nga një numër i vogël anëtarësh të kryesisë, të mashtruar ose të joshur prej tij, bëri ç’deshi vetë.
Prej ditësh kjo gazetë dhe organe të tjera të shtypit tonë e kanë demaskuar ashpër këtë rol përçarës të Veli Myftarit. Dy nga anëtarët e kryesisë së organizatës, Prof. Ksenofon Krisafi dhe gazetari Xhevdet Shehu, i kanë kritikuar publikisht veprimet e këtij individi. Të tjerë, si Prof. Pëllumb Xhufi, avokat Spartak Braho, deputeti Petro Koçi dhe unë vetë kemi bërë të njëjtën gjë. Njëlloj kanë vepruar edhe kryetarët e disa komiteteve të veteranëve, si ai në bashkinë e Krujës, të Maliqit etj.
Veli Myftari e ka dëshmuar veten një mashtrues ordiner, jo vetëm sepse ua ka fshehur anëtarëve të Kryesisë dhe të gjithë veteranëve të kaluarën e tij, si një njeri i dënuar penalisht nga ligjet demokratike të këtij shteti (një e vërtetë e dokumentuar më së miri), por edhe për gjithçka përmenda më sipër.
Nga sa vura në dukje më lart, i motivuar nga kurrfarë interesi personal, por vetëm nga interesi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe Pasardhësve të tyre, si nga interesi më i gjerë publik dhe ai kombëtar, miqësisht, në frymën e patriotizmit dhe në emër të vlerave dhe idealeve antifashiste, u drejtoj këtë thirrje veteranëve tanë të nderuar dhe pasardhësve të tyre që ta demaskojnë këtë individ dhe ta pengojnë realizimin e qëllimeve të tij.
Një njeriu që me metoda makiaveliste përpiqet të marrë në duart e tij drejtimin e organizatës sonë, më e rëndësishmja organizatë joqeveritare në vend, dhe që mashtron publikun shqiptar, nuk meriton jo vetëm të jetë sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate, por as të bëjë pjesë në ndonjë prej organeve drejtuese të saj.
Shpreh besimin se ju, veteranë të nderuar, “heronj të gjallë” të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ju pasardhës të veteranëve, që së bashku ndajmë të njëjtën traditë të shkëlqyer antifashiste në familjet tona, dhe shumë nga intelektualët progresistë të këtij vendi, do ua ndalim përpjekjen dezinformuese e shkatërruese Veli Myftarit dhe atyre që, duke u bërë pjesë e makinacioneve të tij, rrezikojnë të bien në të njëjtin moçal.
Unë nuk mund të them se cilat janë motivet që i shtyjnë Veli Myftarin dhe ata pak përkrahës të tij në këtë sipërmarrje dëmprurëse për fatet e kësaj organizate, por nuk mund të rri pa ritheksuar rëndësinë shumë të madhe që ka kjo organizatë për edukimin antifashist dhe demokratik të brezave të rinj të shqiptarëve.
Të mos harrojmë se sot fashizmi ka mbetur jo vetëm në “kujtesën historike” të popujve, por edhe një kërcënim, i cili, nëse nënvleftësohet, mund të shndërrohet në një rrezik real për fatet e demokracisë liberale në mjaft vende e rajone të botës. Sukseset elektorale të partive populiste në ditët tona duhet të na bëjnë të kujtojnë se fashizmi vërtet mund të jetë shkatërruar në vitin 1945, por forcat politike, sociale e kulturore që e lindën dhe e mbështetën atë nuk u asgjësuan kurrë. Mësimi më i vyer që na ofron historia është se nuk ka fitore—ose humbje—përfundimtare. “Every age has its own Fascism”. “Çdo kohë”, shkruante Primo Levi, shkrimtari i njohur italian që i mbijetoi Holokaustit, “ka fashizmin e vet”. Ndërsa Umberto Eco vinte në dukje se “loja fashiste mund të luhet në shumë forma dhe emri i lojës të mos ndryshojë”.
Nuk bëj asnjë analogji me situatën për të cilën shkrova më sipër, veç dëshitoj t’ju kujtoj, të dashur veteran dhe pasaardhës të veteranëve, fjalët e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur çek, Julius Fučík, “Njerëz, ju kam dashur! Jini vigjilentë!”./ Dita/