MENU
klinika

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së

Çfarë do të ndodhë me normat bazë të interesit në vend

23.03.2023 - 17:45

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko, doli në një njoftim për shtyp ku foli për situatën ekonomike në Shqipëri dhe normat e interesit.

Sejko tha se inflacioni pritet të pësojë ulje graduale për tre muajt në vijim, teksa shtoi se do të rritet norma e bazës së interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 3.00%

Fjala e plotë e Sejkos:
“Sot, në datën 23 mars 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë ka rezultuar në kahun e sipërm të pritjeve tona. Ky informacion sugjeron se rritja ekonomike në vend ka qenë relativisht e shpejtë dhe e qëndrueshme gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar. Në të njëjtën kohë, megjithëse inflacioni ka ardhur në rënie, presionet e brendshme mbi çmimet, dhe veçanërisht ato që burojnë nga tregu i punës, vlerësohet të jenë të forta dhe në rritje.

Bazuar në sa më sipër, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Në linjë me komunikimet tona të mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky vendim është një hap i nevojshëm për të garantuar kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto afatgjata sa më të ulëta mbi ekonominë shqiptare.

Duke faktorizuar trendet e brendshme ekonomike dhe financiare, zhvillimet e pritura në tregjet botërore, si dhe lëvizjen e sotme të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rritja ekonomike do të vijojë të mbetet në territor pozitiv ndërsa inflacioni do të zbresë gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm.

Inflacioni shënoi rënie gjatë dy muajve të parë të vitit, duke shënuar vlerat respektive prej 7.2% dhe 7.1% në muajt janar dhe shkurt. Trendi rënës i inflacionit, i nisur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, ishte në përputhje me pritjet tona. Megjithatë, niveli i inflacionit në dy muajt e parë të vitit ishte në kahun e sipërm të pritjeve.

Në këndvështrimin e shportës, rënia e inflacionit u diktua nga një rritje më e ngadaltë vjetore e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve, në linjë dhe me tendencat e vëna re në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i lartë dhe i qëndrueshëm.

Në këndvështrimin makroekonomik, kjo ecuri u diktua nga reduktimi i inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa e lartë për mallra e shërbime, nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe nga pritjet e agjentëve ekonomikë për rritje të mëtejshme të çmimeve.

Informacioni i disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në tremujorin e katërt të vitit të shkuar dhe tremujorin e parë të vitit aktual. Rritja e kërkesës agregate është bazuar në zgjerimin e konsumit familjar, të investimeve private e publike, si dhe të eksporteve të mallrave të shërbimeve. Kjo dinamikë është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme, nga përmirësimi i besimit të biznesit e të familjeve, nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, si dhe nga kushtet ende stimuluese financiare.

Zgjerimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të lartë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë shqiptare. Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate për mallra e shërbime ka shënuar një rritje më të shpejtë se potenciali prodhues i ekonomisë shqiptare. Ky konkluzion pasqyrohet në normat historikisht të larta të shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin privat, nga rritja e vazhdueshme e punësimit, nga rënia në nivele minimale historike e normës së papunësisë, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave në sektorin privat.

Në veçanti, paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 14% në terma vjetorë gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar. Kjo rritje ka mbështetur zgjerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve shqiptare, ka ushqyer zgjerimin e konsumit familjar si dhe ka ndihmuar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Megjithatë, nga ana tjetër, ajo ka rritur kostot e prodhimit të biznesit dhe ka lehtësuar përcjelljen e rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja në ekonominë vendase.

Përkundrejt tyre, tregjet e brendshme financiare vijojnë të mbeten të qeta dhe të transmetojnë normalizimin e deritanishëm të qëndrimit të politikës monetare, si në vend dhe në botë. Normat e interesit kanë shënuar rritje në të gjithë harkun e produkteve financiare, ndërkohë që yield-et e letrave më vlerë të qeverisë kanë rënë, duke pasqyruar më mirë lëvizjet e deritanishme të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Po ashtu, kursi i këmbimit të lekut ndaj monedhave kryesore ka vijuar të shfaqë tendenca mbiçmimi, në përgjigje të përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë si dhe të ruajtjes së atraktivitetit relativ të instrumenteve financiare në lekë. Së fundi, ndonëse në ngadalësim, kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet, duke mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në ekonomi.

Përditësimi i parashikimeve konfirmon pritjet tona të mëparshme dhe sugjeron se trendet kryesore ekonomike të vëna re gjatë muajve të fundit do të vijojnë edhe në të ardhmen. Më konkretisht, inflacioni pritet të shënojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Po ashtu, rritja ekonomike pritet të qëndrojë në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes parashikohet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual.

Këto projeksione janë të kushtëzuara nga:
materializimi i pritjeve të tregjeve ndërkombëtare për një reduktim progresiv të inflacionit dhe një frenim të përkohshëm të ritmit të rritjes në partnerët tanë tregtarë;
materializimi i pritjeve tona për ruajtjen e një ambienti të qëndrueshëm dhe ende stimulues financiar në vend;
materializimi i projeksioneve të buxhetit për ngadalësimin e ritmit të konsolidimit fiskal gjatë vitit; si dhe nga,
një lëvizje e mëtejshme drejt normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në mbledhjen e sotme.

Në veçanti, në konsistencë me gjykimet e mëparshme, Banka e Shqipërisë vëren se normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare është një hap i nevojshëm për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të rrisë normën bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 3.00%;
  • të rrisë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.75% në nivelin 4.00%;
  • të rrisë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.75% në nivelin 2.00%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se presionet e larta inflacioniste që burojnë nga ambienti i brendshëm janë një faktor i rëndësishëm rreziku, së pari, për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe, më tej, për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Në këto rrethana, ai e vlerësoi të nevojshme reduktimin e stimulit monetar nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo masë është në përputhje me komunikimet tona të mëparshme dhe në konsistencë me lëvizjet e fundit të bankave kryesore qendrore.

Bazuar në informacionin aktual, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se pjesa më e madhe e normalizimit të nevojshëm monetar është kryer tashmë. Në linjë me komunikimet e mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se qëndrimi i ardhshëm i politikës monetare do të udhëhiqet nga të dhënat e reja, dhe në veçanti balanca e presioneve inflacioniste, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike dhe tregues të tjerë të shëndetit ekonomik dhe financiar të vendit.”, tha Sejko.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sejko: Inflacioni në vend do të mbetet i lartë

Kriza e çmimeve/ BSH nuk ndryshon politikën monetare

'Të shihen politikat fiskale"

Sejko: Çmimet, të larta, gjatë 2022-it!