Nga stadiumi ‘Maradona’ i Napolit Italia e Roberto Mancinit do të nisë sonte në orën 20:45 rrugëtimin e Europianit 2024 kundër Anglisë, një kundërshtari të cilin ‘axurrët’ e mposhtën në finalen e Europianit 2020 në Londër. Dy herë kampionët e Europës duan të lënë pas zhgënjimin e mos kualifikimit në Botëror dhe për këtë trajneri Mancini ka grumbulluar disa fytyra të reja.
Emri më i përfolur është ai i Mateo Reteguit, sulmuesit i cili luan te Tigre në Argjentinë, por që zgjodhi ‘axurrët’ për faktin se përfaqësohet nga agjensia e Francesco Totti-t, por edhe sepse gjyshi i tij është italian. Për këtë ndeshje trajneri Mancini ka të padisponueshëm kapitenin Bonucci dhe sulmuesin Chiesa, ndërsa para sfidës është shprehur se ‘Italia duhet të riniset me krenarinë e të qenurit kampione Europe në fuqi’.
Mirëpo nga ana tjetër edhe Anglia kërkon trofeun e parë që nga viti 1966 dhe për rrjedhojë do bëjë maksimumin në ndeshjen e parë. Trajneri Southgate premton se në ‘Itali do shkojnë për të fituar’, ndërsa një gol sulmuesin Harry Kane do ta bënte golashënuesin më të mirë në historinë e ‘Tre Luanëve’. Po për grupin C ku bën pjesë Italia me Anglinë do luhet sonte edhe Maqedoni e Veriut-Maltë, ndërsa Ukraina do jetë pushim.