MENU
klinika

Letra publike!

Të burgosurit e Burrelit: Na lironi! Duam amnistinë!

10.12.2018 - 15:29

Disa të dënuar në burgun e Burrelit i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë. Të dënuar në burgun e Burrelit kërkojnë rishqyrtim të kushteve për përfitimin e amnistisë pak ditë para fundit të 2018-ës. Ata kërkojnë që amnistia e këtij viti që është edhe viti i Skënderbeut të ishte e përgjithshme dhe për një afat kohor 2-3 vjet.

“Ne të poshtëshënuarit që po vuajmë si të paraburgosur në IEVP Burrel, parashtrojmë kërkesën tonë si më poshtë vijon:

Dëgjuam në televizor se Ministria e Drejtësisë ka bërë një propozim për amnisti. Kjo pa dyshim që është e nevojshme dhe e domosdoshme për të gjithë ata që po vuajnë dënimet.
Por konstatojmë se kushtet që kërkon kjo amnisti nuk plotësohen nga të paraburgosurit dhe të burgosurit, pasi konstatohen se janë dhënë gjykime dhe dënime të padrejta si për drogën për dhunën në familje por edhe për vepra të tjera.

Konstatohet se ka patur padrejtësi si në hetim po ashtu edhe në gjykimin e çështjeve të ndryshme. Gjithashtu vërejmë se Gjykatat e rretheve Dibër dhe Mat kanë dhënë dënime më të rënda se Gjykatat e rretheve të tjera. Duke u bazuar në çfarë thamë më sipër mendojmë se kjo amnisti që është parashikuar të jepet, nuk lehtëson asnjë të paraburgosur ose të burgosur. Kërkesa jonë kolektive është që amnistia e këtij viti që është edhe viti i Skënderbeut të ishte e përgjithshme dhe për një afat kohor 2-3 vjet.

Në njëfarë mënyre kjo do të ishte një zgjidhje që për mendimin tonë është e paanshme dhe e duhura për kushtet në të cilat ndodhemi. Kemi besim se Ministria e Drejtësisë do ta marrë në konsideratë këtë kërkesë.

Faleminderit për mirëkuptimin”, shprehen në letrën e tyre të burgosurit.