MENU
klinika

E shtuna intensive brenda opozitës

Berisha me Këlliçin takojnë të rinjtë në PD, Alibeaj nxjerr kandidatët e 14 majit nga selia e re

25.03.2023 - 10:24

Teksa na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, aktivitetet politike bëhen më intensive, të paktën në kampin opozitar.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi do të zhvillojnë sot një takim me të rinjtë e FRPD në selinë e Partisë Demokratike, salla “Pjetër Arbnori”.

Ndërkohë po sot kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj nxjerr kandidatët për 14 majin. Alibeaj tha dje pas mbledhjes me grupin e PD dhe Kryesinë se sot do të formalizohet vendimi në lidhje me mënyrën si do të garohet në “lokale”.

“Nesër do mblidhen forumet e bazës, do sjellin dhe ata atë që është nevoja. Vendimi final do përbëhet nga kryesia, grupi dhe kolegji.. nesër (sot) do jetë i plotë”, tha ai.

Të hënën është afati i fundit për të çuar në KQZ listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshillat bashkiakë.