MENU
klinika

Të dhënat e INSTAT

Çmimet e larta e fiskalizimi/ Rritet xhiroja e dyqaneve të vogla

27.03.2023 - 10:16

Të dhënat nga tregtia me pakicë në vitin 2022 sugjerojnë se shpenzimet e shqiptarëve për konsumin e ushqimeve pas muajit mars kanë qenë sistematikisht rreth 30 për qind më të larta se në vitin 2021 në dyqanet e lagjeve.

Nga të gjithë grupet e artikujve rezulton se rritjen më të madhe të tregtisë me pakicë në vlerë e kishin produktet ushqimore në njësitë jo të specializuara (dyqanet e vogla të lagjeve).

Sipas INSTAT në dhjetor të vitit 2022 indeksi në vlerë i tregtisë me pakicë në grupin “ushqime, pije, duhan” në dyqanet e vogla ishte 33% më i lartë se në dhjetor të vitit 2021. Ndërsa në volum tregtia me pakicë e ushqimeve në dyqanet e vogla është rritur vetëm 4,5%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021.

Përgjithësisht nga marsi 2022 deri në fund të vitit tregtia në vlerë në dyqanet e lagjeve është rritur me 30 për qind , ndërsa në supermarkete me rreth 10 për qind.

Njësitë e vogla tregtare raportuan rritjen më të larta të xhiros për ushqime në raport me të gjitha kategoritë e tjera të tregtisë. Kjo rritje sipas tregtareve të pakicës erdhi për dy arsye.

E para, si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të mallrave e cila ishte më e fortë në ushqime të tilla, si buka, mielli, vaji që u rriten më të nisur lufta në Ukrainë, teksa ka pasur një rritje të fortë të çmimeve të prodhimeve vendase, sidomos bulmetit, çmimet e të cilit gati janë dyfishuar.

Arsyeja tjetër lidhet me fiskalizimin. Informaliteti ishte i lartë në njësitë e vogla tregtare, dhe pas fiskalizimit deklarimet janë rritur.

Indeksi i Tregtisë me Pakicë në vlerë në muajin dhjetor 2022 ishte 15% më shumë se në dhjetorin 2022, por në grupin u ushqimeve në dyqanet e vogla indeksi u rrit dy herë më shumë.

Supermaketet raportuan se shitjet e ushqimeve në vlerë ishin vetëm 10.7% më të larta në dhjetorin 2022 në krahasim me dhjetorin 2021.

Në krahasim me vitin 2015 që është baza e krahasimit indeksi i tregtisë së ushqimeve në vlerë në dyqanet e lagjeve është rritur me 146%, ndërsa në supermarkete me rreh 78%.

Që pas pandemisë Covid-19, indekset e tregtisë me pakicë janë ndikuar si në vlerë dhe në volum. Pash gjatë vitit 2020 dhe 2021 u pa një rritje e fortë e tregtisë me pakicë në grupin e produkteve farmaceutike dhe medikamenteve, ushqimeve dhe pajisjeve kompjuterike.

Në tremujorin e katërt 2022, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi 137,1. Shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 3,9%, por rritja në vlerë ishte mbi 15%./monitor