Pas alarmeve të djeshme, nuk është gjetur asnjë lëndë plasëse e vendosur në Aeroportin Adem Jashari në Prishtinë. Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila shtoi se hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. Ende nuk dihet se kush është pas këtij alarmi, por nuk është alarmi i parë fals në Kosovë për bombë.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Airoportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situaten. Informatë shtesë Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.