Çështja “Prisma” për të hetuar shkeljet e supozuara financiare nga Juventusi ka zhvilluar këtë të hënë seancën e parë. Në gjykatën e Torinos, palët kanë pasur një ngërç dhe ‘përballja’ e radhës me faktet do jetë në 10 maj. Kjo shtyrje ka ardhur për t’i dhënë kohë palëve për të mbledhur më shumë informacion dhe faktuar pretendimet e tyre. Disa nga aksionerët më të vegjël të Juves (rreth 30) kanë bërë padi kundër bardhezinjve për këtë çështje.
Në një muaj e gjysmë kohë, gjyqtari i seancës paraprake do duhet të vlerësojë kërkesën e palëve civile dhe kërkesën e Prokurorisë në ngritjen e akuzave, teksa janë 12 zyrtarë të Juventusit të përfshirë, mes të cilëve Andrea Agnelli, Pavel Nedved, Maurizio Arrivabene dhe Fabio Paratici, të gjithë ish-drejtuesit e
“Zonjës” që dhanë dorëheqje për t’i hapur rrugë hetimit për parregullsi dhe fshehje të bilanceve në shitjen e lojtarëv dhe pagave.
Gjithashtu është kërkuar që hetimi të zhvendoset nga gjykata e Torinos drejt Milanos, ose më idealja në Romë.
Rreth tridhjetë aksionarë të vegjël të Zonjës kanë ngritur padi civile për të kërkuar dëmshpërblim nga Juve dhe në këtë pikë është caktuar një seancë e re në mënyrë që deri në 10 maj avokatët e klubit të Juventusit të kenë mundësinë të lexojnë kërkesat e palëve civile dhe vetë Gjykata të jetë në gjendje të vendosë nëse do t’i pranojnë kërkesat e tyre. Gjithashtu më 10 maj duhet të trajtohet edhe çështja e juridiksionit territorial të procesit.