MENU
klinika

Nuk kursehen as shqiptarët jashtë

2022/ Turizmi solli një rekord prej 1 miliardë euro të ardhurash

28.03.2023 - 10:01

Viti 2022 ka qenë shumë i mirë për turizmin e vendit, si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të hyrjeve të shtetasve të huaj.

Të dhënat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se bilanci neto i udhëtimeve i cili mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe të shqiptarëve jashtë ishte pozitiv, prej 1.07 miliardë eurosh, duke arritur një rekord historik, që prej vitit 2008, kur banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Të huajt shpenzuan 2.8 miliardë euro në vend

Shpenzimet e të huajve për udhëtime në vitin 2022 arritën një rekord prej 2.84 miliardë eurosh, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Që prej disa vitesh Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, duke nxitur dhe investimet e hoteleve, që për herë të parë zbatuan disa vjet më parë praktikën e të gjitha të përfshira, teksa u lidhën me agjenci të njohura të turizmit.

Fluksi kryesor i turistëve që prenotojnë në hotele erdhi nga Europa e Lindjes, si Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj. Edhe për italianët Shqipëria u kthye në një vend të preferuar.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë së në vitin 2022 hyrjet e të huajve arritën një rekord prej 7.5 milionë shtetasish, me një rritje prej 32.6% në krahasim me 2021-n, dhe 17% më shumë sesa në 2019-n, që deri tani kishte qenë viti më i mirë turistik.

Më pas pandemia i dha një goditje të shpejtë këtij sektori në 2020-n, por rimëkëmbja ishte e shpejtë në 2021-n dhe kulmoi në 2022-n.

Kjo reflektohet dhe në rritjen e të shpenzimeve të të huajve në Shqipëri me 36.3%, në krahasim me vitin 2019, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Nuk kursehen as shqiptarët jashtë lanë 1.77 miliardë euro

As shqiptarët nuk janë kursyer në udhëtimet që kanë bërë jashtë vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e tyre në udhëtimet jashtë arritën në 1.77 miliardë euro, duke shënuar sërish një rekord, që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat. Lehtësimi i kufizimeve nga pandemia nxiti udhëtimet jashtë vendit.

Sipas INSTAT, Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5.882.007 duke u rritur 40,4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN